Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë akuzuar Rusinë se ka shkrepur një lloj rakete nga një satelit në hapësirë, raporton BBC.
Përmes një deklarate, kreu i drejtorisë hapësinore në Mbretërinë e Bashkuar, Harvey Smyth tha:
“Ne jemi të shqetësuar nga mënyra me të cilën Rusia testoi një nga satelitët e saj duke lëshuar një predhë me karakteristikat e një arme”.
Deklarata tha se veprime si kjo “kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës”.
SHBA-ja edhe më parë ka ngritur shqetësime për këtë satelit rus.
Në deklaratën e tij, Smyth, gjithashtu tha se veprime si këto “rrezikojnë të shkaktojnë mbeturina që mund të përbëjnë një kërcënim për satelitët dhe sistemet hapësinore nga të cilat varet bota”.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të shmangë çdo testim të mëtejshëm. Ne gjithashtu i kërkojmë Rusisë të vazhdojë të punojë në mënyrë konstruktive me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë në drejtim të një sjelljeje të përgjegjshme në hapësirë”, tha Smyth.
SHBA-ja tha se sistemi satelitor rus ishte i njëjti, për të cilin kishte ngritur shqetësime në vitin 2018, si dhe në fillim të këtij viti, kur ai bëri një manovrim afër një satelit amerikan.
Për incidentin e fundit, gjenerali, Jay Raymond, i cili kryeson komandën hapësinore amerikane, tha se kishte prova “që Rusia kreu një provë të një arme anti-satelitore me bazë hapësinore”.