Në botë ka miliona lopë, por njëra dallon prej të tjerave. E pagëzuar Superlopa Viatinia-19 FIV Mara Moveis, lopa në fjalë mban rekordin botëror për çmimin më të lartë me të cilin është shitur në ankand, plot 4,2 milionë dollarë. Rekordi është certifikuar edhe nga Libri i Rekordeve Guinness, në korrik 2023.
Lopa braziliane peshon rreth 1100 kilogramë, një peshë dyfishi i mesatares së racës së saj. Industria e bagëtive në vendin amerikano-jugor është një prej burimeve më të mëdha të të ardhurave për ekonominë. Brazili është eksportuesi më i madh në botë i mishit të viçit dhe raca Viatinia-19 përfaqëson përpjekjet e fermerëve për të arritur perfeksionin.
Lopa 4-milionë dollarëshe vjen si rezultat i viteve punë me mbarështimin, për të arritur individin më të mirë të mundshëm.
“Ne po përpiqemi të shtojmë numrin e individëve të lopëve elitare. Dhe në fund të ditës do të ushqejmë të gjithë botën”, tha një prej pronarëve të lopës për “The Associated Press”.
Por çfarë e bën këtë lopë kaq të veçantë? Sipas Lorrany Martins, një veterinere, e bija e një prej pronarëve të saj, tha se çmimi bazohet te tre faktorë: muskulatura, fertiliteti dhe aftësia për t’i pasuar efektet pozitive te viçat që do të lindë.
Sipas saj, mbarështuesit janë të gatshëm të paguajnë 250 mijë dollarë për të marrë vezore të lopës. “Është individi më i afërt me perfeksionin, të paktën deri tani”, tha Martins. “Është lopa e përkryer, i ka të gjitha karakteristikat që kërkojnë blegtorët”.