Kanalet e mediave sociale dhe grupet e ndryshme po përdoren në Rusi për të rekrutuar një brigadë të re mercenarësh për të luftuar kundër Ukrainës. BBC ka folur me një mercenar, i cili është pjesë e një prej organizatave kryesore mercenare ruse.
Mercenari në shërbim tha se shumë veteranë të organizatës sekrete Wagner u kontaktuan nga një grup privat i Telegram disa javë para fillimit të luftës. Ata ishin të ftuar në një “piknik në Ukrainë”, për të shijuar “Salo”, një gatim tradicional me mish derri në Ukrainë.
Mercenarët që mund të aplikojnë janë ata me precedentë penalë, borxhe, gjithashtu edhe ata nga zonat e pushtuara nga Rusia të republikave Luhansk dhe Donetsk dhe Krimesë.
Grupi Wagner është një nga organizatat më sekrete në Rusi. Deri në 10,000 ushtarë besohet se kanë nënshkruar të paktën një kontratë me Wagner gjatë shtatë viteve të fundit. Sipas një mercenari që foli për BBC tha se rekrutët e rinj po i bashkohen komandës së oficerëve nga GRU, njësia e inteligjencës ushtarake ruse e ministrisë së mbrojtjes, raporton abcnews.al
Ai theksoi se politika e rekrutimit ka ndryshuar dhe tani ka më pak kufizime, duke theksuar se njësitë e reja që po rekrutohen nuk quhen më Wagner, por tashmë po përdoreshin emra të rinj si The Hawks.
Kjo duket të jetë pjesë e një tendence të kohëve të fundit për t’u larguar nga reputacioni i grupit Wagner, pasi “emri i grupit është njollosur”, tha Candace Rondeaux, eksperte e studimeve ruse, euroaziatike dhe të Europës Lindore në Universitetin Shtetëror të Arizonës.
Wagner është përballur me akuza të përsëritura për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në operacionet e tij në Siri dhe Libi. Burimet mercenare që folën për BBC, thanë se rekrutët janë trajnuar në bazën Wagner në Mol’kino në Rusinë jugore, pranë një baze të ushtrisë ruse.
Përveç grupeve private të mesazheve, ka pasur edhe një fushatë publike në Rusi për të rekrutuar mercenarë. Në platformën ruse të mediave sociale VK, një faqe që e përshkruan veten si specialiste në aktivitetet e sigurisë, postoi një mesazh gjatë javës së parë të pushtimit duke bërë thirrje për ushtarë nga vendet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.
“Rusia ka nevojë për mijëra mercenarë,” tha Jason Blazakis, studiues i lartë në Qendrën Soufan, një institut kërkimi për sigurinë me bazë në SHBA.
Të premten, ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu tha se 16,000 luftëtarë nga Lindja e Mesme kishin dalë vullnetarë për të luftuar me ushtrinë ruse. Presidenti rus Vladimir Putin tha se të gjithë ushtatët nga Lindja e Mesme ishin të mirëpritur për të luftuar kundër Ukrainës.
Sipas informacioneve, deri në 400 luftëtarë nga grupi Wagner ndodhen në Ukrainë. Grupi Wagner u identifikua për herë të parë në vitin 2014, kur po mbështeste separatistët pro-rusë në konfliktin në Ukrainën lindore.
Ushtari në shërbim të Wagner tha se gjatë ditëve të para të pushtimit të Ukrainës ai u dërgua në qytetin e dytë më të madh të vendit në Kharkiv, ku tha se njësia e tij përfundoi me sukses një mision pa zbuluar se çfarë ishte.
“Më pas na paguan 2,100 dollarë për një muaj punë dhe u kthyem në shtëpi, në Rusi,” tha ai për BBC.
Blazakis e ka përshkruar përfshirjen e mercenarëve si një “shenjë dëshpërimi” për të fituar mbështetjen e popullit rus.Rusët kanë mbajtur protesta të shumta kundër pushtimit të Ukrainës dhe mijëra prej tyre janë arrestuar.
Blazakis shtoi se përfshirja e mercenarëve në luftë i jep mundësinë Kremlinit të ketë një numër të pakët viktimash. Moska nga ana tjetër ka mohuar se ka lidhje me grupet mercenare. BBC pyeti ministrinë ruse të mbrojtjes nëse baza në Mol’kino po përdorej për të rekrutuar forca shtesë në atë që autoritetet ruse e quajnë “një operacion special ushtarak në Ukrainë”.
Por nuk mori asnjë përgjigje.