Futbollit kosovar nuk i munguan as skandalet gjatë vitit 2019 – Rrezik nga UEFA e FIFA
Rezultatet pozitive të Kombëtares së Kosovës e kanë karakterizuar një vit kalendarik, shkruan Gazeta Express.
Derisa “Dardanët” e kanë bërë krenar një popull dhe një shtet me rezultatet pozitive të tyre, jashtë stadiumit “Fadil Vokrri” nuk kanë munguar problemet dhe skandalet e ndryshme.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka menaxhuar aspak mirë kërkesën e jashtëzakonshme të njerëzve për t’u pajisur me bileta.
Punë nuk ka kryer as një sistem online i shit-blerjeve të biletave.
Madje, as kjo formë nuk i ka ndalë dallaveret.
Krejt në fund u zbulua se as 50 për qind të biletave nuk ishin vënë në shitje siç duhet.
Madje, kishte ndeshje kur në sistemin online ishin vënë në shitje vetëm 2900 bileta, ndonëse stadiumi kishte kapacitet prej rreth 12 mijë ulëseve.
Te biletat u detyrua të ndërhyjë edhe Prokuroria për të hetuar.
Problemet nuk munguan as brenda dhe rreth Federatës së Futbollit të Kosovës. Lufta për të marrë postin e kryetarit të FFK-së vazhdimisht është bërë më agresive.
Fillimisht ndodhi një përplasje në mes kryetarit aktual, Agim Ademi, me Gramoz Vokrrin, djalin e kryetarit legjendar.
Pastaj, rreth Gramozit u krijua një grup opozitar, i cili nuk e la asnjëherë të qetë Ademin në postin e vet.
Por, më e keqja ndodhi krejt në fund të vitit, kur zëvendëssekretari Arianit Ahmeti, e shpalli kandidaturën e tij për kryetar, duke thënë se prapa vetes i ka shumicën e delegatëve të FFK-së.
Por, në ndërkohë Arianit Ahmeti mori ngjyra politike gjë që Kosova i shkaktoi vetes rrezik edhe për një suspendim të mundshëm nga UEFA e FIFA.
Rreziku nuk ka kaluar. Në janar do të dihet nëse në FFK do të ketë zgjedhje vetëm për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv apo edhe për kryetar.
Ademi insiston se në vitin 2018 ka marrë mandat katërvjeçar, deri në vitin 2022.
Kurse, Ahmeti thotë se Ademi është zgjedhur kryetar vetëm për ta vazhduar mandatin e Fadil Vokrrit të ndjerë, i cili në vitin 2016 ishte kishte marrë mandat deri në vitin 2020.
Por, Ademi shihet në avantazh të madh për ta fituar edhe këtë betejë.