Ka nisur raundi i 12-të i Euroleague në basketboll për meshkuj, javë që ka dhuruar mjaft surpriza dhe ku janë luajtur disa ndeshje mes skuadrave pretendente për një vend në play off.
Real Madrid fitoi me lehtësi 92-65 ndaj Barcelonës, ndeshje e dominuar nga basketbollistët e skuadrës “merengues”, superiorë në fushë. Kjo është humbja e gjashtë në këtë edicion për Barça, ku mungoi lojtari lider, ndërsa për Real u dalluan Randolph me 16 pikë e Carroll me 15.
Në krye të Euroleague ndodhet skuadra e Fenerbahce, që mposhti 92-85 Armani Milano, sfidë e ekuilibruar në 20 minutat e para, që u mbyllën në barazim 40-40. Epërsia e ekipit turk erdhi në pjesën e dytë, me Guduric që bëri diferencën në parket, autor i 20 pikëve, duke i bërë të pavlefshme 31 pikët e James për italianët.
CSKA Moskë fitoi 88-74 ndaj Khimki në derbin moskovit, ndeshje e dominuar nga basketbollistët e CSKA-së, që ruajnë pozitat në vendin e dytë në renditje. 5 lojtarë të CSKA-së realizuan mbi 10 pikë, me Hackett që ishte shënuesi më i mirë, me 14 pikë, transmeton telesporti.
Në ndeshjet e tjera, Olympiacos triumfoi 88-81 ndaj turqve të Anadolu Efes (Toupane 19 pikë), ndërsa Baskonia Gasteiz triumfoi në sekondat e fundit 81-79 në fushën e Maccabit (Shengelia 20 pikë).
Euroleague – Raundi i 12-të
Olympiacos – Anadolu Efes, 88-81
CSKA Moskë – Khimki Moskë, 88-74
Fenerbahce – Armani Milano, 92-85
Maccabi tel Aviv – Baskonia Gasteiz, 79-81
Real Madrid – Barcelona, 92-65
14 dhjetor, Bayern Mynih – Zalgiris Kaunas, ora 20:30
14 dhjetor, Panathinaikos – Darassafaka Stamboll, ora 20:30
14 dhjetor, Gran Canaria – Buducnost, ora 21:00