Anulim të 18 mijë votave me postë të LDK-së dhe shpallje të rivotimit me postë në diasporë ishin ndër ankesat që Lëvizja Vetëvendosja i deponoi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në orën e fundit të afatit të ligjshëm për ankesa, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare zgjedhore e që do të duhej të hapte rrugë për certifikimin final.
Blerim Sallahu dhe Alim Rama njoftuan se kanë dërguar “20 faqe” ankesë me, siç pretendojnë, “prova të manipulimeve” të votave nga LDK-ja.
Lëvizja Vetëvendosje e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura j€€avën që lam pas nga KQZ, kishin fituar 42,3% të votave, nuk po e pranon këtë rezultat. Ata janë ankuar sërish në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Dorëzuam ankesë kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare me pretendimet tona lidhur me votimet me postë, për shkak të manipulimeve, keqpërdorimeve të shumta të anëtarëve të LDK-së, lidhur me votimet me postë, që këto votime kanë pasur një adresë të vetme, dhe kësisoj votimi ka ndodhur në formë të manipuluar masivisht dhe me kimik e duar të njëjtë”, tha Sallahu. “…Sot VV-ja kërkoi nga PZAP që të eliminojë këtë padrejtësi të madhe që ka ndodhur. Vendimi duhet patjetër të jetë rivotim, dhe rishprehje e vullnetit të qytetarëve. Të anulohen 18 mijë vota të LDK-së, të ketë rivotim të serishëm të votimit me postë, kandidatët që kanë marrë votë pakrahasimisht më shumë me postë se sa në Kosovë, të largohen nga lista, dhe të mos zëvendësohen me anëtarë të tjerë”, tha Sallahu.