Fjalë Kyçe

LVV dhe LDK e mendojnë rikthimin e reciprocitetit me Serbinë̈, AAK kërkon ShBA-në në tavolinë

LVV dhe LDK e mendojnë rikthimin e reciprocitetit me Serbinë̈, AAK kërkon ShBA-në në tavolinë

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë̈ po vlerësohet si i pa alternativë edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Por kësaj radhe, partitë̈ politike e shohin si opsion edhe rikthimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Për dallim nga e kaluara, ku vetëm Lëvizja Vetëvendosje insistonte në këtë masë, tashmë zëra të tillë po dëgjohen edhe në LDK. Ndërsa në partinë e Ramush Haradinajt kërkojnë involvimin e sërishëm të ShBA-së për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë që përfshinë njohjen reciproke.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti u shpreh i vendosur se marrëdhëniet me Serbinë, pas zgjedhjeve do të ndërtohen vetëm mbi bazën e reciprocitetit.

“Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet madje mbi bazën e kaluarës së afërt e cila ende nuk është mbyllur. Gjithçka duhet të nis me dokumentimin dhe adresimin e dëmeve të luftës, me evidentimin dhe gjetjet e personave të zhdukur dhe ndjekje e dënim të kriminelëve të luftës”, tha Kurti në mbledhjen e fundit të këshillit të përgjithshëm të LVV-së.

Ani pse para shtatë muajsh, LDK-ja si partia kryesore në qeveri largoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, tashmë kjo ide po shihet si njëra ndër opsionet më reale ndaj shtetit fqinj.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh kandidati për deputet nga kjo parti, Faton Bislimi thotë për KosovaPress, se në vazhdimësi LDK-ja ka pasur qasje proaktive për dialogun me Serbinë, por sipas tij reciprociteti mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara.

“LDK-ja në vazhdimësi ka pasur një qasje pro aktive të dialogut, ne s’kemi pritur të bëhemi vetëm instrument i pjesëmarrjes në dialog. Por në çdo aspekt edhe në koordinim të ngushtë me partnerët, veçanërisht ShBA jemi munduar që procesin e dialogut të kthejmë në një fazë përmbyllëse të tij dhe rezulton me njohje të dyanshme në mënyrë që çështja e marrëdhënieve tona me fqinjët tanë të rregullohet njëherë e përgjithmonë…reciprociteti është politikë që gjendet në tavolinën e opsioneve dhe mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara. Unë besoj që LDK-ja ka tregu gatishmërinë e saj që çdo mjet të saj demokratik ta lë të hapur si mundësi e arritjes së qëllimeve të caktuara politike. Këtë rast edhe me Serbinë̈, pse jo. Ne e kemi parë dhe vazhdojmë̈ të shohim edhe reciprocitetin në kuadër të këtyre mjeteve politike”, thotë ai.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë për KosovaPress, se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, me njohjen reciproke si temë të vetme në tavolinë.

“Ne dialogun e shohim duke qenë në tavolinë ShBA-të si partneri dhe miku i përjetshëm i Kosovës. Ndërsa të tjerët do t’i shohim si partnerë që mundësojnë një dialog të mirëfilltë duke pasur parasysh gjithmonë zgjidhjen finale që është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Temat tjera mund të diskutohet pas njohjes, por konsiderojmë se njohja është tema e cila duhet të jetë në tavolinë”, thotë ai.

KosovaPress ka provuar të marrë një qëndrim për dialogun edhe nga PDK, mirëpo zyrtarë të saj nuk kanë qenë të qasshëm për t’u deklaruar rreth kësaj teme.

E ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri dialogun me Serbinë nuk e sheh si temë që pritet të hapet shpejtë pas zgjedhjeve në Kosovë.

“Kjo është një temë shumë e rëndësishme, varet nga mënyra si do të ndërtohen institucionet e Republikës dhe përbërja e tyre në periudhën e pas zgjedhjeve. Si temë mund të ri aktualizohet edhe për shkak të faktorit ndërkombëtar. Por kjo varet edhe nga përbërja që do të ketë qeveria e Kosovës dhe nga përbërja e institucioneve të tjera të Republikës. Prandaj për këtë arsye vlerësojë̈ se tash për tash partitë̈ politike nuk kanë ndonjë̈ fokus aty dhe si temë nuk është e hapur dhe nuk pritet të hapet shpejtë”, tha ai.

Vitin e kaluar u zhvilluan një sërë takimesh në Bruksel e Uashington me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo një gjë e tillë nuk u arritë përveç një marrëveshje zotimesh ndërmjet dy shteteve në Shtëpinë e Bardhë, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.

Ndërkohë prej muajit shtator të vitit të kaluar liderët institucional të dy shteteve nuk u takuan, pas kërkesës së palës serbe për të hapur temën e themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, e cila në mënyrë kategorike u refuzua nga pala kosovare./Kp