Fjalë Kyçe

LVV-ja kërkon hapjen e urës mbi lumin Ibër

LVV-ja kërkon hapjen e urës mbi lumin Ibër

Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës të Mitrovicës së Veriut kanë kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.

Asamblistja e LVV-së, Aida Ferati-Doli, tha se çështje e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015 dhe “është mbyllur kjo çështje”. Sipas saj, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.

“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”, tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.

Në seancë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se është për hapjen e urës, për lëvizjen e lirë “sipas standardeve evropiane”. Ai tha se zbatimi i vendimit për çështjen e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, tha ai.

Seanca e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut vazhdoi pa praninë e mediave./ REL