Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media në lidhje me pasigurinë dhe vdekjet e punëtorëve në vendin e punës.
Në konferencë folën dy nënkryetarët e Lëvizjes Fatmire Mulhaxha – Kollçaku dhe Besnik Bislimi.
“Vdekjet e punëtorëve në vendin e punës janë shtuar së tepërmi gjatë vitit 2018, ku rastet e publikuara në media arrijnë numrin 23. Kjo shifër nuk reflekton të gjitha rastet e tjera të pa hetuara, publikuara ose të censuruara nga punëdhënësit, inspektorët dhe organet e tjera përgjegjëse”, thuhet në komunikatën për media.
Në fjalën e saj, një ditë pas konferencës së fundvitit të BSPK-së, nënkryetarja Fatmire Kollçaku përmendi të gjithë emrat e të vdekurve për këtë vit, duke u bashkangjitur vendin dhe kompaninë në të cilën punonin për rastet kur këto të dhëna ekzistojnë.
Në vazhdim, Kollçaku listoi edhe problematikat e punëtorëve, temë kjo e nxjerrë në plan të dytë dhe e heshtur shumicën e kohës.
“Vdekjet ndodhin kryesisht në sektorin e ndërtimit punëtorët punojnë pa masa sigurie. Në këtë dhe të tjerë sektorë punëtorët punojnë shpeshherë pa kontratë dhe ku përgjegjës kryesor për vdekjet e tyre janë kompanitë punëdhënëse. Problematika të tjera që i shtohen kësaj marrëdhënieje të pabarabartë janë papërgjegjshmëria e qeverive, numri i vogël i inspektorëve, mungesa e kualifikimit të tyre, mungesa e pensioneve të invaliditetit për të gjitha rastet e dëmtimeve dhe mungesa e sindikatave të forta”, tha Kollçaku.
Format e shfrytëzimi të punëtorëve po mbarështohen në mungesë të një qeverie e cila e sheh punën dhe punëtorin si vendin ku garantohet dinjiteti i një qytetari.
Në vazhdim të listës së gjatë të formave të shfrytëzimit, nënkryetari i Lëvizjes Besnik Bislimi tha se “ne kemi edhe inspektoratin e punës, i cili ende punon me ligj të vitit 2002 i shoqëruar me një ndryshim plotësim të vakët të vitit 2008 që mban siglën e UNMIK-ut. Një shikim prej dy minutave në faqen e internetit të këtij inspektorati mjafton për të konkluduar për nivelin organizativ dhe profesional të tij”.
Ai ka shtuar se i gjithë raporti vjetor i këtij institucioni përbëhet prej tri faqeve të vetme me ZERO tekst të shkruar dhe tri tabela të thjeshta dhe të pasqaruara.
“Mjafton të shohim se e gjithë e arritura e këtij institucioni për një vit të tërë është shqiptimi i diku 23 gjobave ndaj punëdhënësve dhe identifikimi apo trajtimi i ZERO rasteve të diskriminimit gjinor. Një statistikë e tillë do të ishte mahnitëse edhe për vendet ku termi diskriminim gjinor mbase as nuk përdoret më fare. Dhe prapë ne e kemi të pamundur të dalim me rekomandime për rritjen e numrit të inspektorëve, të bindur se në mjedisin aktual dhe me qeverisjen aktuale, një realizim eventual i kërkesës sonë do të përdorej vetëm për rritje të punësimit militant dhe rritje të bashkëpunimit mes isnpektorëve të punës dhe bizneseve”, u shpreh Bislimi.
Ai përmendi edhe numrin e inspektorëve të punës që është 58 sosh, kurse 10 herë më i madh është numri i shoferëve të qeveritarëve.
“Ndryshimi i mendësisë së qeverisje në Kosovë është i domosdoshëm për ndryshimin e kushteve të punëtorisë. Kosova ka nevojë për një qeverisje e cila i sheh shenjat e progresit të vendit në mënyrën se si trajtohen punëtorët e saj”, tha Bislimi.