Nuk e kaloi natën në Prishtinë.
Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, shkoi të enjten mbrëma në Beograd.
Mëngjesin e së premtes ai zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sikur në Kosovë, Maas edhe në Serbi foli për rëndësinë e vazhdimit të dialogut kosovaro-serb që në Prishtinë një ditë më parë e tha se duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Por kryediplomati gjerman i reagoi nga kryeqyteti serb presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pikërisht në konferencë me Maas tha se dialogu do përjetojë një “RESET”.
“Ne me shumë dëshirë jemi të gatshëm që të marrim pjesë dhe të kontribuojmë në këtë proces. Dialogu tashmë ekziston dhe nuk duhet të rivendoset. Gjithsesi qeveritë e të dyja vendeve duhet të konfirmojnë e të përkushtohen në proces. Kjo për faktin se konflikti ekziston tash e disa vite dhe në këtë kontekst nuk duhet të niset nga fillimi” tha Maas në konferencën e përbashkët me Vuçiq.
I pari i diplomacisë gjermane potencoi se pritjet e Berlinit zyrtar janë enorme për qeveritë e të dyja shteteve.
“Jemi në situatë ku në të dyja vendet janë mbajtur zgjedhjet dhe janë formuar Qeveri që kanë shumicë stabile parlamentare. Ky është momenti i duhur që të vazhdohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve dhe të arrihen rezultatet” tha ai.
Ndërsa Vuçiq pranoi se me Gjermaninë kurrsesi nuk pajtohen karshi raporteve me Kosovën, të cilën Bundesrepublika e pranon shtet të pavarur e sovran, përderisa Serbia refuzon.
Kryetari i Serbisë përmendi gatishmërinë e palës serbe të arrihet ujdi që ai e quan “zgjidhje kompromisi”, duke potencuar se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.