Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka debatuar sot me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, rreth dhunës që është përdorur në protestat në të dy vendet respektivisht.
Presidenti Macron, i cili e priti zotin Putin në rezidencën e tij verore në jug të Francës pesë ditë përpara takimit të Grupit të 7-shes, synon t’i tregojë Moskës se nuk po injorohet pavarësisht se është përzënë nga ky grup, pas aneksimit të Krimesë në 2014-n.
Megjithëse bisedimet u përqendruan tek krizat ndërkombëtare, zoti Macron u përpoq të trajtojë me zotin Putin edhe situatën e brendshme në Rusi. Prej më shumë se një muaji Moska është tronditur nga protesta që u nxitën pasi autoritetet ndaluan kandidatët e opozitës që të konkuronin në zgjedhjet për qytetit që mbahen në shtator.
“Këtë verë ne bëmë thirrje për liri për të protestuar, për liri të fjalës, mendimit e për të konkuruar në zgjedhje, gjë që duhet të respektohet plotësisht në Rusi si për çdo vend tjetër anëtar të Këshillit të Evropës”, tha zoti Macron gjatë një konference të përbashkët për shtyp përpara takimit.
Ndërsa fillimisht, presidenti Putin u duk sikur e injoroi komentin, ai e kundërshtoi menjëherë zotin Macron pas një pyetjeje vijuese rreth protestave në Moskë. Ai tha se gjërat po trajtoheshin në përputhje me ligjin, duke shtuar se nuk donte që situata të përfundonte si në Francë.
“Ne të gjithë i dimë ngjarjet e lidhura me të ashtuquajturit ‘jelekët e verdhë’, gjatë protestave të të cilëve, sipas llogaritjeve tona, u vranë 11 persona dhe 2500 u plagosën”, tha zoti Putin.
“Ne nuk do të dëshironim që ngjarje të tilla të ndodhnin në Moskë dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar situatën e brendshme politike dhe çdo veprim ka qenë në mënyrë rigoroze brenda kuadrit ligjor”, shtoi ai.
Por Presidenti Macron tha që krahasimi me Francën ishte i pasaktë, pasi siç tha ai, protestuesit e “jelekëve të verdhë” mund të marrin pjesë në zgjedhje.
Të dy presidentët bënë të ditur se do të diskutojnë një seri problemesh ndërkombëtare sikurse çështjen e Iranit, Sirisë si dhe atë të kontrollit të armëve. Megjithatë, interesi kryesor i Parisit duket të jetë çështja e Ukrahinës, për të cilën shpreson të shohë përparim, pasi Presidenti i ri i vendit i ofroi zotit Putin një shans për paqe.