Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi sot një iniciativë të përbashkët me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson, për të takuar në të ardhmen presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan mbi ofensivën e Turqisë në verilindje të Sirisë.
Në përfundim të një samiti evropian në Bruksel, presidenti francez theksoi se parashikonte me kancelaren gjermane dhe kryeministrin britanik se do të takohen në javët e ardhshme me presidentin Erdogan.
Takimi do të zhvillohet në kuadër të samitit të NATO-s të organizuar më 3 dhe 4 dhjetor pranë Londrës, theksoi presidenca.
“Është e rëndësishme që ne të mblidhemi dhe të koordinohemi, veçanërisht për të parë se si ta kthejmë Turqinë në qëndrime më të arsyeshme”, shtoi ai, më shumë se një javë pas fillimit të ofensivës turke kundër kurdëve në verilindje të Sirisë.