Derisa qytetarët rumunë po bëhen gati të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, një grup i magjistareve të vetëshpallura janë duke punuar për t’u siguruar se kandidatët “e duhur” do t’i fitojnë ulëset.
Agjencia e lajmeve “Euronews” ka folur me njërën prej tyre, Mihaela Minca dhe ajo ka thënë se është duke e përgatitur një ritual në prag të 25 majit, për t’i ndriçuar mendjet e kandidatëve, në mënyrë që ata t’i marrin vendimet më të mira për popullin rumun.
“Jemi duke e përgatitur një substancë të fortë më 25 maj, të cilën vajzat e mia do ta hedhin mbi objektin e qeverisë rumune”, ka thënë ajo.
“Uji magjik do të ndriçojë dhe qartësojë mendjet e politikanëve, në mënyrë që ata të marrin vendime të mira për popullin rumun”, ka shtuar ajo.
Ndonëse Minca thotë se zakonisht u ofron ndihmë rumunëve rreth çështjeve të dashurisë apo problemeve financiare, ajo rishtazi e ka kthyer vëmendjen tek problemet me të cilat përballet shteti i saj. Ajo i është bashkuar një rrjeti magjistaresh rumune, që synojnë të mallkojnë ligjvënësit rumunë, të konsideruar të korruptuar.