Fjalë Kyçe

Malisheva vazhdon ta ketë edhe një rast aktiv me koronavirus

Malisheva vazhdon ta ketë edhe një rast aktiv me koronavirus

Në Komunën e Malishevës vazhdon të jetë prezent koronavirusi.

Në Kosovë aktualisht janë 1 mijë e 269 persona të prekur me koronavirus, ku 77 prej tyre janë nga Komuna e Malishevës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë për lajmi.net, se në këtë komunë akoma është prezent koronavirusi, pasi që siç theksoi ai, edhe një rast është aktiv.

“Situata është në përmirësim e sipër. E kemi ende aktiv edhe një rast, pra e kemi ende të pa shëruar një person. Raste të tjera nuk kemi. Në Malishevë deri më tani kanë qenë 77 persona të infektuar dhe një rast të vdekjes e kemi”, deklaroi Begaj për lajmi.net.

Ndryshe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), që nga 8 shkurti e deri më 9 qershor të këtij vitit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të këtij instituti janë testuar gjithsej 17 mijë e 199 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1 mijë e 269 raste.

Deri më tani sipas IKSHPK-së, kanë vdekur 31 persona të cilët përveç se ishin të prekur me koronavirus, vuanin edhe nga sëmundje të tjera.

Po ashtu, në tërë Kosovën janë 912 persona që janë shëruar nga koronavirusi.

Në bazë të këtyre të dhënave, aktualisht në tërë Kosovën janë 326 raste aktive me koronavirus.