Hierarkia e Manchester United ka vendosur të qëndrojë pas Ruben Amorim, edhe pse klubi po përjeton fillimin më të dobët të një sezoni në tri dekadat e fundit.
Trajneri portugez, i cili mori drejtimin më 24 nëntor 2024, ka regjistruar vetëm tetë fitore në 31 ndeshje të Ligës Premier, një bilanc që e vendos skuadrën në fund të renditjes krahasuar me 17 ekipet që kanë qenë pjesë e ligës gjatë kësaj periudhe.
Presioni mbi Amorimin u shtua edhe më shumë pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Manchester Cityt në derbin e fundjavës, një rezultat që nxjerr edhe një herë në pah krizën e thellë të skuadrës.
Në total, United ka pësuar 16 humbje në 31 ndeshje të ligës, ndërsa shifrat tregojnë një rënie dramatike krahasuar me pritshmëritë.
Kritikat janë shtuar edhe për shkak të investimit masiv të verës, mbi 225 milionë funte, që deri më tani ka sjellë vetëm një fitore në katër ndeshjet e para të këtij sezoni dhe vetëm një gol të shënuar nga loja e hapur. Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk e kanë vënë seriozisht në dyshim pozicionin e tij.
Mediat angleze kanë raportuar se Amorim e përshkroi situatën si “të pabesueshme”, duke theksuar se trajneri nuk po përballet me një kërcënim real për shkarkim, pavarësisht formës katastrofike.
Amorim, 40 vjeç, mbetet i palëkundur në idetë e tij. Ai ka deklaruar se nuk do të braktisë sistemin e preferuar 3-4-3, duke i bërë të qartë klubit se ndryshimi i qasjes taktike do të kërkonte edhe ndryshim trajneri.
I kontraktuar deri në vitin 2027, portugezi i ka lënë Manchester United përpara një zgjedhjeje të qartë: ose ta mbështesë filozofinë e tij, ose të nisë një erë të re.