Yjet e Liverpoolit, Sadio Mane dhe Mohamed Salah, janë myslimanë të devotshëm dhe gjatë muajit të Ramazanit u është dashur të përshtatin programet e tyre stërvitore.
Mane e pranon se të luash futboll gjatë këtij muaji është e vështirë, por ka lavdëruar Liverpoolin që e ka bërë sa më të lehtë që të jetë e mundur.
Sulmuesi senegalez ka treguar se si fleksibiliteti i trajnerit të tij dhe aftësia e tij për të përshtatur oraret e stërvitjeve me kërkesat e tyre i ka ndihmuar ata.
“Nuk është e lehtë sepse të luash dhe të stërvitesh gjatë Ramazanit nuk është aspak e lehtë,” tha Mane për “beIN Sports”.
“Por, para Ramazanit u përpoqëm të flisnim me kapitenin dhe t’i tregonim trajnerit se ndoshta mund të ndryshonim orarin për të stërvitur në mëngjes”, shtoi sulmuesi i Liverpoolit.
“Kjo është më e lehtë për ne. Nëse stërviteni në mëngjes keni kohë për të pushuar dhe për të shkuar në shtëpi. Po të stërviteshim në ora 14 ose 15 do të ishte e vështirë. Trajneri tha po dhe kjo i ka bërë gjërat më të lehta dhe ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën”, ka deklaruar Mane.
Agjërimi nuk ka ndikuar për të keq te Salah dhe Mane, pasi të dy futbollistët po vazhdojnë të jenë ndër kryesorët te Liverpooli, transmton express.
Që nga fillimi i muajit të Ramazanit, Mane dhe Salah kanë luajtur në të shtatë ndeshjet e Liverpoolit, në tri gara të ndryshme. Dhe të dy kanë mbetur në formë të mirë, veçanërisht Mane i cili ka shënuar pesë herë në ato ndeshje.