Fjalë Kyçe

“Marca” shkruan për spanjollin që mund të luajë për Kosovën

“Marca” shkruan për spanjollin që mund të luajë për Kosovën

KOHA ditë më parë ka shkruar se hendbollisti spanjoll, Victor Alonso, është i gatshëm të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës.

Për këtë çështje të dielën ka shkruar edhe gazeta e madhe dhe shumë e fuqishme spanjolle “Marca”.

“Victor Alonso, një spanjoll kosovar”, është titulli i “Marcas”.

Alonso luan për skuadrën kosovare Besa Famgas. Sipas “Marcas”, Alonso në verë ka menduar të përfundojë karrierën, në moshën 30-vjeçare. Por oferta e Besës së Pejës e mbajti atë në sport.

Ai është spanjolli i parë në kampionatin e Kosovës. Trajner te Besa Famgas, e po ashtu trajner i përkohshëm te Kosova është Javier Cabanas.

“Një e arritur që mund të shkojë tutje, pasi Alonso po pret të pranojë propozimin e Federatës që të luajë për Kosovën. Pasi supozon se dyert e ekipit të Spanjës janë të mbyllura për të, lojtari nga Gijoni seriozisht po konsideron që të natyralizohet dhe të bëhet kosovar. Alonso është i vetëdijshëm për rrënjët e tij, por ai është i kënaqur me trajtimin që i është bërë në vendin ku po luan”, ka shkruar “Marca”.

“Oferta më ka zënë në befasi. E di që trajneri i Spanjës nuk më llogarit, ndonëse kam pasur edicione të mira. Nuk kam pasur asnjë mundësi dhe për këtë po shqyrtoj opsionin që të luaj për Kosovën”, ka thënë Alonso, ndër të tjera. Ai ka theksuar se po trajtohet shumë mirë në Pejë.

Majtaku ka thënë se do të takohet me drejtues të Federatës për të sqaruar gjërat dhe për të pranuar propozimin për natyralizim.

Së fundi Alonso ka luajtur për Spanjën në vitin 2014.

Ai ka theksuar se asnjëherë nuk ka menduar se do të luajë për ndonjë përfaqësuese tjetër. Por pasi nuk po e llogarit Spanja, po mendon për opsione të tjera.

“Marca” ka shkruar për faktin se Spanja nuk e njeh Kosovën.

“E vlerësoj mundësinë që të luaj për Kosovën, pasi është mundësi e shkëlqyeshme për paraqitje në nivel ndërkombëtar, ndonëse nuk është vendi im dhe Spanja nuk e njeh si shtet. Por unë jam apolitik, kështu që nuk merrem me këtë çështje. Kosova e trajton Javierin njëjtë si mua, në mënyrë të shkëlqyeshme”, thotë Victor Alonso.

Ai nuk mund ta paramendojë një përballje me Spanjën. Thotë se do të ishte e çuditshme dhe e dhimbshme. Alonso mund të bëhet spanjolli i parë që luan për Kosovën” shkruan “Marca”.