Paolo Maldini deklaroi se Ibrahimovic nuk është aspak racist dhe se thjesht u ka dalë në mbrojtje shokëve të tij, të sulmuar nga Lukaku, por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i administratorit të Interit, Giuseppe Marotta.
Pak minuta para ndeshjes me Beneventon ai foli për mediat italiane, ku e quajti një shfaqje të turpshme sherrin mes dy sulmuesve, por theksoi se Lukaku nuk është futbollist agresiv dhe se të gjithë e panë çfarë ndodhi në mesjavë në “San Siro”.
“Nuk dua të bëj polemikë me Maldinin, por pamjet janë aty dhe të gjithë e panë se çfarë ndodhi mes të dyve. Për më tepër, Lukaku nuk është një futbollist agresiv dhe për këtë dëshmon vetë historiku i karrierës së tij. Gjithsesi vlen të theksohet se ishte një shfaqje e shëmtuar për publikun dhe se ne drejtuesit duhet të punojmë më shumë për të edukuar lojtarët tanë”, tha Marotta.
Më pas drejtuesi zikaltër foli edhe për zërat e një shkëmbimi të mundshëm mes Alexis Sanchez dhe Edin Dzekos, por edhe për rinovimin e Lautaros, që tha se është shtyrë për në një moment të dytë.
“Shkëmbimi Dzeko-Sanchez ishte një ide që u venit pa nisur të diskutohet mirë. Ne nuk kemi asnjë të pakënaqur në organikë dhe kështu mund të them me siguri që do ta mbyllim sezonin me këta futbollistë. Sa i përket rinovimit të Lautaros, kemi rënë parimisht dakord me menaxherët e tij, por firma do të vijë më vonë, pasi tani shoqëria po përballet me një situatë tjetër. Ne besojmë te profesionalizmi i futbollistëve tanë dhe ata besojnë gjithashtu te serioziteti i klubit, ndaj disa diskutime i kemi shtyrë për një tjetër moment”, u shpreh Marotta.