Sindikata e Infermierëve të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatat tjera kanë mbajtur protestë me moton “Paga dinjitoze, Jo diskriminimit” për të kundërshtuar rangimin sa i përket koeficienteve në Ligjin e Pagave, raporton EO.
Protesta ka nisur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, për të vazhduar deri në sheshin “Skënderbeu”, me ç’rast thanë se kërkesa e tyre është pagë të dinjitetshme e jo diskriminim.
Enlirat Duraku nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës, tha se pjesëmarrja me numër kaq të madh të punëtorëve shëndetësor është një indikator e zhgënjimit dhe revoltës.
“Sot e realizuam marshin me moton “Paga dinjitoze, Jo diskriminimit”. Pjesëmarrja me numër kaq të madh e komunitetit të infermierëve është një indikatorë i një zhgënjimi dhe një revolte të skajshme të komunitetit lidhur me mënyrën e trajtimit nga institucionet shtetërore”, ka thënë Duraku.
“Është kërkuar nga ne që të përmbahemi nga veprimet sindikale sepse mund ta dëmtojmë procesin. Duhet të sqarohet njeri se cilin proces po mendojnë. Për çfarë procesi është fjala? A po e dëmtojnë procesin e ikjes së infermierëve nga Kosova? Po a po e dëmtojnë procesin e zhvlerësimit të devalvimit të profesionit Po. Aty është edhe qëllimi. Sot ne kemi ardhur këtu me një kërkesë të përbashkët shumë të çartë “Paga dinjitoze, Jo diskriminimit””, ka thënë tutje Duraku.
Kryetari i Odës së Infermierëve Hasan Gashi, tha se kërkesa e tyre është që Ligji i Pagave të shkojë përpara drejt implementimit. Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratave se kjo Odë po e ndal këtë Ligj.
“Ne si Odë i kemi përkrahur të gjitha kërkesat e infermierëve, mami dhe përsonelëve të tjerë shëndetësorë. Dhe do t’i mbështesim të gjitha kërkesat, të cilat janë kërkesa të drejta. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë as më pak por që ligji të shkojë më tutje. Sepse ka fjalë që ne jemi ata që po e ndalim ligjin. Ne nuk jemi ata që e ndalim ligjin. Ne kemi dëshirë që ligji t shkojë, por të shkojë në mënyrë të barabartë. pagë e njëjte, punë të njëjta. Bëjmë apel që Ministria e shëndetësisë, Qeveria t’i ketë përballë infermierët për arsye që për tri vite kanë humb edhe jetën e vet dhe të familjarëve vetëm ta kenë një pagë të dinjitetshme”.