Shkruar nga Mehdi Mulaj
“Uhaaa!” – i hapet goja. “Sa u ba sahati bre?” – pyet nga shtrati, i rraskapitur nga kotja. “Uuuu, sot po dashka me shku në Prekaz!” – hedh jorganin te dritarja dhe yrysh e te dollapi për t’i zgjedhur kostumet më të bukura që ka.
“Oj grue, ku e kam atë dreq kravate?” – bërtet si i çmendur nga meraku për t’u dukur sa më bukur në këtë vizitë, për të cilën gati sa nuk kishte harruar.
Hap dollapin e veçantë, aty ku e ruan maskën për përvjetorë të tillë. E vë në fytyrë dhe niset për t’u bashkuar me grupin e maskave.
Arrin në Prekaz – para varreve të martirëve e të dëshmorëve. Harron për çfarë është aty nga sikleti për ta rregulluar kollaren, e cila thuajse ia kishte zënë frymën.
Ashtu të pispillosur, si nëpër dhëmbë, u thonë “lavdi” të gjallëve që janë shtrirë të pushojnë në tokën e ngrohtë të Kosovës. Dhe nisen drejt dyerve të Kullës, aty ku gjithmonë rrah zemra për liri, aty ku toka merr frymë.
Dhe më pas dalin për të mbajtur fjalim para mediave: Kjo kullë blla blla blla, sepse blla blla blla, por blla blla blla. Prandaj blla blla blla…, blla blla blla…!!!
“Eh, u kry edhe kjo punë!” – i maskuari i thotë grupit të maskave, sikur ta kishte për obligim një vizitë të tillë. Bëhen bashkë dhe nisen për të vuajtur në kafenenë e rakisë në qytet. E Prekazi legjendar qëndron mbi këmbët e veta.
Eh, kështu…!
E kam përshtypjen se një pjesë e madhe e njerëzve të politikës veprojnë kështu. Nuk e ndiejnë as Prekazin dhe as aromën e gjakut – sepse u janë mbyllur sy, vesh e hundë.
More të mjerë, martirët e dëshmorët e Prekazit nuk kanë nevojë për zgërdhirjet tuaja, mbi gjakun e të cilëve ndërtuat pasuri e karrierë. Melhem i tyre janë punët e mira për vendin.
Kurrë mos i vizitoni, ata nuk ju shohin, nuk mund të flisni me ta – mjafton të betoheni në gjakun e tyre dhe të punoni për dheun që i mbulon. Kjo është më e bukura që ata duan.
Marset vijnë e shkojnë, e ju mbeteni të turpëruar. Stinët ndërrohen, por gjaku i tyre nuk thahet – trëndafilat më të bukur ujiten aty.
E ju mendoni mirë para se të flini, para se të flisni, para se të hani e të pini – mallkimi mund t’ju zë kudo që jeni!
E ti Prekazi im i dashur, frymëzimi im dhe i brezave që do të vijnë, mos u dëshpëro para maskave të tilla, por krenohu e ngazëllehu me fytyrat e fëmijëve të buzëqeshur.
LAVDI e përjetshme për ty, vatër e trimave!