Fjalë Kyçe

‘Martesa’ Josa – Prishtina po shkon drejt fundit!

‘Martesa’ Josa – Prishtina po shkon drejt fundit!

Mirel Josa i ka ditët e numëruara në FC Prishtinë. Në fakt, trajneri nga Shqipëria ka kontratë edhe për një kohë goxha të gjatë me bardhekaltrit. Kjo ishte edhe arsyeja që i ka mbajtur të kurorëzuar qe dy vjet trajnerin me klubin sepse një shkarkim eventual mund t’i kushtonte financiarisht FC Prishtinës.

Por, tani kur Josa për të dytin vit rresht dështoi ta fitoi titullin e kampionit, e po ashtu i ka humbur edhe një Superkupë dhe një Kupë, ndarja thuajse sigurt do të ndodh. Ai është i gatshëm të heq dorë nga kontrata dhe dëmshpërblimi në rast se Shoqëria Aksionare e FC Prishtinës e vlerëson ndarjen si zgjidhje të duhur.

Josa e ka fituar veç një Kupë me FC Prishtinën. Ka humbur pak ndeshje, por ato i kanë kushtuar me humbje të katër trofeve. Po ashtu, loja e FC Prishtinës nën drejtimin e Josës është kritikuar vazhdimisht. Madje, “Plisat” deri vonë me insistim e kërkonin largimin e tij. Kjo për shkak se FC Prishtina kishte zhgënjyer edhe në Europa League, ku duhej ta kalonte një kundërshtar, gjë që Prishtina me Josën nuk e kishin bërë, shkruan Gazeta Express.

Ndryshimi do të ndodh menjëherë në rast se Trepça ’89 e fiton Kupën e Kosovës dhe shkon në Europa League. Por, nëse Feronikeli e fiton Kupën, atëherë FC Prishtina shkon në Europa League. Ky mund të jetë maksimumi i Josës në FC Prishtinë – edhe një pjesëmarrje në Europa League, por jo edhe në një kampionat të ri që do të nis në muajin gusht.