Është shumë e vështirë të gjendet një familje që jeton dhe merr frymë me futbollin po aq sa ajo e Carlos Alvarezit dhe gruas së tij, Renae Cuellar. Të dy luajnë futboll profesionalisht: Alvarezi me ekipin e themeluar të Landon Donovanit, San Diego Loyal, që bën gara në kategorinë e dytë të SHBA-së, derisa Cuellari është pjesë e skuadrës Tijuana, që garon në elitën e futbollit të femrave në Meksikë.
Por, rrënjët e futbollit të kësaj familjeje shkojnë edhe më thellë. Babai i Alvarezit, i cili ka bërë karrierë në kategorinë e dytë të Meksikës, u sigurua që topi i futbollit të jetë gjithmonë në këmbët e Carlosit dhe pesë fëmijëve të tjerë të familjes së tij.
Deri në moshën katërvjeçare, Alvarezi aq mirë e perfeksionoi mbajtjen e topit, saqë filloi të luante sikur të ishte pjesë e ndonjë akademie të futbollit, shkruan The Guardian.
Në fakt, për Carlosin dhe fëmijët e tjerë ishte kujdesur i ati që gjithmonë kur kishte kohë të lirë u qëndronte pranë dhe i këshillonte. Carlos u bë edhe anëtari i parë në familjen Alvarez që diplomoi në universitet, përpara se të përzgjidhet si zgjedhja e dytë në SuperDraftin e përgjithshëm të futbollit në SHBA nga skuadra Chivas në vitin 2013, transmeton KOHA.
Vëllai i tij i madh është një trajner futbolli i profilit të lartë dhe një nga tre vëllezërit e tij të vegjël, Efrain 17-vjeçar, u përshkrua vitin e kaluar nga ish-shoku i tij te Los Angeles Galaxy, Zlatan Ibrahimovic si “talenti më i madh në MLS”. Si fëmijë, ata kishin nevojë për sportin që të dalin në skenë, pasi u rritën në lagje në lindje të Los Angelesit që njihet si njëra prej më të rrezikshmeve.
“Është shumë rrallë që njerëzit dalin nga lagja ime dhe bëhen të famshëm”, thotë Alvarez. “Prindërit e mi u siguruan që të merresha me sport dhe të përqendrohesha në shkollë: kështu më mbajtën larg bandave, drogave, prostitucionit, të gjitha gjërat përreth lagjes sime”.
Ndërsa prindërit e tij punonin nga ora 04:00 e mëngjesit deri në orën 01:30 pas mesnate duke prerë mishin e pulës nga kockat që do të shkonte në restorantet, si “KFC” e “Popeyes”, Carlosi së bashku me vëllezërit e motrat u siguruan “që të qëndronin jashtë telasheve për të mos pasur probleme”.
Tani ata kanë dokumente, tani ata janë qytetarë të plotë amerikanë, por atëherë ishin emigrantë dhe kishin shumë sakrifica.