Ministria e Shëndetësisë për më pak se tre orë do të propozojë masat tjera që do të merren në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila është paralajmëruar se do të mbahet sot në ora 19:00.
Mirëpo për zbatimin e plotë të këtyre masave Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga komunat që të bashkërendojnë aktivitet dhe të zbatojnë të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Letra e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë:
Me qëllim të informimit paraprak dhe të koordinimit me Komunat e Republikës së Kosovës lidhur me masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19, ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë ndër të tjera do t’i propozojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që:
– Vendimi të zbatohet në të gjithë Republikën e Kosovës;– Institucionet publike dhe private të arsimit të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt sipas udhëzuesit të përkohshëm për aplikimin a masave për parandalimin dhe luftimin e COVID – 19 në institucionet e arsimit të të gjitha niveleve;
– Shërbimet e gastronomisë të lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin e përkohshëm për aplikimin a masave për parandalimin dhe luftimin e COVID – 19 në sektorin e gastronomisë, përmes së cilit vendosën masa për respektimin e distancës në mes të tavolinave dhe përcaktimit të numrit maksimal të personave të lejuar për metër katror;–
Qendrat tregtare të zhvillojnë veprimtarinë duke respektuar me përpikëri masat sipas udhëzuesit të veçantë për qendrat tregtare;– Kufizimi i orarit të lëvizjes të mbetët në fuqi sipas rekomandimit të IKSHPK-së.
Ndërkaq, burime të Telegrafit bëjnë të ditur se njëri nga vendimet që do të marrë Qeveria ka të bëjë me lejimin e punës së gastronomisë, objekteve hoteliere, restoranteve dhe kafiterive, të cilat nga e hëna do të punojnë deri në orën 22:00. Gjithashtu do të hapen edhe qendrat tregtare.
Ndërsa, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë, por tani nga ora 22:30 deri në 05:00, shkruan Telegrafi.
Gastronomia dhe qendrat tregtare do të lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin e përkohshëm për aplikimin a masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.
Masat e reja kufizuese do të vlejnë për 14 ditët e ardhshme.