Fjalë Kyçe

“Mashtrim me subvencione”, gjashtë të akuzuar e pranojnë fajësinë, 11 deklarohen të pafajshëm

“Mashtrim me subvencione”, gjashtë të akuzuar e pranojnë fajësinë, 11 deklarohen të pafajshëm

Në seancën fillestare ndaj 12 zyrtarëve dhe gjashtë fermerëve të cilët akuzohen për mashtrim me subvencione e vepra tjera penale, 11 prej tyre janë deklaruar të pafajshëm, gjashtë nga ta kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie ndërsa për njërin u veçua procedura.

Në këtë rast akuzohen 12 zyrtarët, Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Adrian Ramqaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Ramiz Ramosaj, Driton Alaj, si dhe 6 fermerët: Arif Idrizaj, Dinë Zogaj, Shemsedin Metaj, Burim Shabanaj, Deli Metaj dhe Besmir Bicaj.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj, të akuzuarit Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Kushtrim Zogaj, Granit Lubeniqi, Ardian Ramqaj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Ramiz Ramosaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj dhe Sedat Shkodra, janë deklaruar të pafajshëm përballë akuzave që ju vihen barrë.

Ndërsa, të akuzuarit, Arif Idrizaj, Dinë Zogaj, Shemsedin Metaj, Burim Shabanaj, Deli Metaj, Besmir Bicaj, kishin bërë marrëveshje për pranim fajësie së bashku me prokurorinë.

Të akuzuarit Zogaj, Idrizaj, Metaj, Shabanaj dhe Metaj, përndryshe ishin shpallur edhe si dëshmitarë bashkëpunues në këtë çështje.

E ku më pas, kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, i pranoi marrëveshjet për pranim fajësie, ku sipas gjyqtares të njëjtat janë të lidhura në pajtim me dispozitat ligjore të nenit 230 par.17 të KPPRK-së, ashtu që në pajtim me nenin 230 par.20, të KPPRK, u pranuan marrëveshjet për pranim fajësie.

Gjyqtarja Kuka-Mekaj, lidhur me të akuzuarit tha se ndaj tyre nuk do të shqiptohet dënimi derisa të kryejnë obligimin e tyre si dëshmitarë bashkëpunues në këtë çështje.

Ndërsa për të akuzuarin Besmir Bicaj, pasi që i njëjti nuk ishte dëshmitar bashkëpunues ndaj tij shpallja e dënimit do të bëhet më 3 qershor 2024.

Të akuzuarit tjerë, i ka udhëzuar që në afatin prej 30 ditësh kanë të drejtën e kundërshtimit të provave dhe hedhjën e aktakuzës.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar i akuzuari Driton Alaj, ku sipas pasi që më herët ai kishte kërkuar veçimin e procedurës ndaj tij, për shkak se veprat nuk ndërlidhen së bashku me të akuzuarit tjerë, e ku pas pajtimit të gjithë palëve në procedurë ndaj të njëjtit është veçuar procedura.

Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrimi me subvencione”, “Mashtrimi në detyrë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hasan Maxharraj nga 28 gushti 2020, e në vazhdimësi deri më 18 dhjetor 2020, në Istog, si zyrtar i lartë për politika bujqësore në Komunën e Istogut, pranon ryshfet nga të akuzuarit tjerë Shemsedin Metaj dhe Burim Shabanaj shumat prej 3 mijë e 600 euro, që t’ua aprovojë subvencionet të tyre.

Me këto veprime, Maxharraj akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, par.2, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se Hasan Maxharraj, më 2019 dhe 2020, në Istog si person zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për personin tjetër e cila tejkalon shumën 5 mijë euro dhe atë për Hazir Metaj, Haxhi Metaj, Nimon Berisha dhe Isuf Imeraj, në kundërshtim me Udhëzimin Adminstrativ të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), pranon aplikacionet për këta fermerë dhe i fut në sistemin e identifikimit të parcelave të tokës.

Në aktakuzë thuhet se fermerët kishin aplikuar me toka të Komunës së Istogut, për të cilat nuk kishin leje, por Maxharraj ua mundësoi përfitimin prej 5 mijë e 310 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këtë, Maxharraj ngarkohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2. lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Hasan Maxharraj dhe Luan Statovci, në muajin dhjetor 2020, në Istog dhe Prishtinë, si bashkëkryerës në cilësinë e personave zyrtarë, Maxharraj në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon ryshfet nga i akuzuari Deli Metaj, dhe Luan Statovci si drejtor për pagesa direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisië, në mënyrë të tërthortë pranon ryshfet nga Deli Metaj.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Maxharraj për t’ia aprovuar subvencionin Metajt pa i plotësuar kushtet i cili përfiton subvencionin për vete në shumë totale 2 mijë e 529 euro, ndërsa në emër të bashkëshortes Igballe Nikqi, Metaj përfiton shumën prej 8 mijë e 574 euro, pasi i akuzuari Deli nxjerr paratë nga llogaria bankare ia jep prindit të tij tashmë të ndjerë dhe ai ia jep ryshfet të akuzuarit Maxharraj në shumën prej 4 mijë euro, e ky i fundit ia jep Statovcit 2 mijë euro.

Për këtë, Maxharraj dhe Statovci akuzohen me veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Luan Statovci dhe Sadat Shkodra, si persona zyrtarë dhe përgjegjës për pagesa direkte në AZHB akuzohen për “Marrje ryshfeti” nga neni 421, par.2 lidhur me nenin 77 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se Luan Statovci pranon ryshfet nga Kushtrim Zogaj, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij, ku i akuzuari Sadat, kontakton me të akuzuarin Dinë Zogaj, lidhur me disa parregullsi në aplikacionin e këtij të fundit për subvencione, për çka i njëjti kërkon 1/3 e këtij subvencioni për t’ia aprovuar, e ku i akuzuari Sadat Shkodra ka pranuar ryshfet të drejtpërdrejtë shumën prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa i akuzuari Luan Statovci në mënyrë të tërthortë shumën prej 2 mijë e 500 euro.

I akuzuari Kushtrim Zogaj ngarkohet se nga 12 korriku 2019, e në vazhdimësi deri më 28 gusht 2020, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare si zyrtar i lartë për politika bujqësore në Komunën e Istogut, aplikon për subvencione për vete me dokumente të axhës së tij Dinë Zogaj, për pronën e dajës së tij Fadil Ferrataj, pa dijeninë e këtij të fundit dhe pasi paratë i dalin në bankë në shumë prej 1 mijë e 36 euro e 50 centë, në emër të Dinë Zogajt, ky i fundit ia jep të gjitha paratë të akuzuarit Kushtrim.

Kushtrim Zogaj, gjithashtu ngarkohet se pas aplikimit për subvencione edhe për persona të tjerë përfiton shuma prej 2 mijë e 850 euro, 1 mijë e 752 euro, 4 mijë e 99 euro e 50 centë dhe 5 mijë e 830 euro, e në shumë të përgjithshme 22 mijë e 517 euro e 5 centë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se Zogaj me veprimet e tij duke lejuar aplikimin për subvencione në mënyrë të palejushme duke shfrytëzuar tokat e Komunës së Istogut për fermerët Ukë Idrizaj, Arsim Delijaj, Nazmi Kamberaj, Kamber Balaj, Ahmet Metaj, Shyhrete Hajdaraj, Shemsi Delijaj, Timë Demiraj, Edonis Hajdaraj, Demë Mehmetaj, Sadush Kabashi, Gjevdet Metaj, Agron Krasniqi, Hidajete Abazaj, Alush Tahiraj, Leonard Metaj dhe Shqipri Seferaj, ua mundëson të përfitojnë shumën prej 25 mijë e 282 euro dhe kështu në këtë vlerë i shkakton dëm buxhetit të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/