Fjalë Kyçe

Maturantët ankohen se nuk kanë mundur të përgatiten shkaku i pandemisë

Maturantët ankohen se nuk kanë mundur të përgatiten shkaku i pandemisë

Pas shumë kohësh maturantët u rikthyen në bankat e shkollës. Por këtë herë ata erdhën për t’iu nënshtruar testit të maturës.

Kësaj here rikthimi i tyre në shkolla ishte krejtësisht ndryshe. Me maska e dezinfektues por pa distancë, ata u bashkuan në oborrin e shkollës për të vazhduar më pas në klasat e shkollës ku do t’i nënshtrohen testit të maturës.

Megjithatë, tashmë ishin bërë gati klasat për mbarëvajtjen e procesit të testimit. Në gjithsecilën klasë u lejuan të hynë nga 7 deri në 12 nxënës.

Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Fejzullahu, ka treguar se shkolla që ai drejton ka bërë përgatitjet ashtu siç edhe është rekomanduar në mënyrë që mbarëvajtja e testimit të shkojë si duhet.

“Përgatitjet janë bërë bukur mirë qoftë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale por edhe nga ne këtu, menaxhmenti i shkollës. Kanë ardhur dezinfektuesit, do të thotë i kanë marrë nxënësit gjatë hyrjes, nxënësit gjithashtu i kanë pas edhe maskat. U vendosën të gjithë nëpër klasa. Këtu janë edhe zyrtarët e Ministrisë me teste, po besoj që çdo gjë do të shkojë mirë”, deklaroi Zejnullahu.

E situata e krijuar nga pandemia me COVID-19 ka bërë që ta rrisë edhe më shumë stresin tek këta nxënës. Nxënësi Ardian Bunjaku ka deklaruar për KosovaPress, para se t’i nënshtrohet testit, se nuk kanë mundur të përgatiten në mënyrën më të mirë, meqë orët janë mbajtur online.

“Sa i përket parapërgatitjes për testin e maturës të gjithë së paku kemi mësuar prej orëve online, nuk na ka ra me u përgatit qysh duhet me ardhë me mbajt në klasë shkaku i pandemisë. Ka ndikuar mjaft keq te krejt nxënësit për shkak se presioni mos po infektohet dikush plus edhe tash stresi për test është njëfarë presioni mjaft i madh për neve si adoleshent”, ka thënë Bunjaku.

Se ky vit është më i vështirë shkak i pandemisë, e tha edhe nxënësi Florent Sylejmani. Ai tha se kjo situatë ka ndikuar negativisht tek ta.

“Po jena përgatit paraprakisht sa kemi mundur por dhe pandemia ka ndikuar shumë në këtë test madje ka ndikuar goxha negativisht nuk kemi mundur të kemi përgatitjen e duhur ashtu siç e kemi planifikuar të mbajmë në shkollë, prandaj edhe kemi mbet mbrapa”, tha Sylejmani.