Kanë mbërritur në Greqi 9700 dozat e para të vaksinës anti covid.
Sipas ministrisë greke të Shëndetësisë, një mjet tip furgon me targa polake, ka hyrë nëpërmjet doganës së Promahonës në veri të vendit dhe nën masa të rrepta sigurie , është shoqëruar në qytetin e Selanikut.
Autoritetet greke thonë se ngarkesa e vaksinave do të dërgohet në Athinë nën shoqërimin e forcave speciale të policisë, ndërsa i gjithë operacioni do të monitorohet prej helikopterëve dhe dronëve të policisë.
Ngarkesa pritet të mbërrijë në magazinat e posaçme që do të mbahet në zonën “Ajo Stefano” të Athinës gjatë orëve të mesditës,dhe në vazhdim do të shpërndahet në 4 depot shpërndarëse në vend.
Mësohet se ditën e diel 27 dhjetor do të nisë operacioni “Liria” i cili sipas kryeministrit Mitsotakis, do të jetë operacioni më jetik për vendin në historinë moderne të Greqisë.
Më herët autoritet njoftuan se për sigurinë e shpërndarje dhe ruajtjes së vaksinës janë angazhuar më shumë se 5000 forca policore,ndërsa lëvizjet e ngarkesave janë cilësuar sekret shtetëror.
Greqia ka njoftuar se ka siguruar dozat e nevojshme të vaksinës dhe ajo do të jepet falas,por jo me detyrim për të gjithë banorët e vendit.