Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka bërë të ditur se kanë mbetur pa furnizim me ujë disa pjesë të kryeqytetit si pasojë e goditjes së rrufesë në pajisjet e energjisë elektrike në stacionin e pompave në Batllavë dhe reshjeve të rrëmbyeshme në disa zona.
Sipas njoftimit të enjten mbrëma, pa ujë kanë mbetur “Kodra e Trimave”, rrugët “Llapi” dhe “Bajram Bahtiri” dhe disa zona të tjera.
“Si shkak i goditjes së rrufesë në pajisjet e energjisë elektrike në stacionin e pompave në Batllavë dhe reshjeve të rrëmbyeshme në disa zona është destabilizuar furnizimi me ujë në disa pjesë të kryeqytetit. Pa furnizim me ujë janë Kodra e Trimave në tërësi, rruga e ” Llapit”, rruga” Bajram Bahtiri” dhe zonat e tjera përreth. Ekipa e elektricistëve të KRU” Prishtina” është në vend ngjarje dhe po merren me sanimin e defektit të energjisë elektrike në SP Batllavë. Po besojmë që shpejt do e sanojnë defektin”, thuhet në njoftim.