Gjendja e rëndë e krijuar pas fillimit të pandemisë COVID-19 ka bërë që biznesmenët të mos i mbyllin bizneset me shpresën e rifillimit të aktivitetit dhe përkrahjes nga shteti e cila nuk po i vije.
Për vitin 2020, kërkesën për shuarje të biznesit e kanë parashtruar 315 biznese me pak se sa në vitin 2019.
Kështu të paktën thuhet në përgjigjet me shkrim që ka dërguar Agjencia për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë.
Sipas këtyre të dhënave, aplikimin për shuarje të biznesit, në këtë vit e kanë parashtruar 576 biznese, krahasuar me vitin 2019, që ishte 891 biznese vetëm në periudhën janar-korrik.
Ndërsa, në vitin 2020, në periudhën janar-korrik janë regjistruar 4436 biznes, krahasuar me periudhën e njëjte të vitit 2019 që ishin 5,106 biznese.
“Në vitin 2020, në gjashtë mujorin e parë janë regjistruar gjithsejtë 4346 biznese. Në vitin 2019, në gjashtë mujorin e parë janë hapur gjithsejtë 5,106 biznese, kurse, në vitin 2020, në gjashtë mujorin e parë janë shuar gjithsejtë 576 biznese, ndërsa, në vitin 2019, në 6-mujorin e parë janë shuar gjithsejtë 891 biznese”, thuhet në përgjigjën me shkrim nga ARBK për KosovaPress.
Agjencia për Regjistrim të Bizneseve ka thënë se procedurat për hapjen e një biznesi është dy ditë pas parashtrimit të kërkesës në agjenci.
E për këto shifra, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për KosovaPress, ka thënë se hapja e bizneseve në këtë kohë është renditje e re.
“Në rend të parë duhet të kuptohet që mbyllja dhe hapja e bizneseve është një dukuri e cila i përcjell të gjitha vendet me pandemi, apo pa pandemi, në rend të dyte duhet të kemi më tepër indikator ambientin e të bërit biznes. A kemi sundim të rendit dhe ligjit, a kemi investitor dhe investime të huaj, a kemi besueshmëri në institucione, a kemi perspektiv, e tëra kjo e dëshmon që në Kosovë bizneset janë duke u sfiduar dhe duhet të kuptohet që tash jemi në gusht të vitit 2020, dhe ende është herët për të tërhequr një paralele sa i përket mbylljes së bizneseve, krahasuar me vitin 2019, por definitivisht në qoftë se në qershor, korrik dhe gusht kemi me pas shpresë se Qeveria do të jetë e arsyeshme për të mbështetur sektorin privat. Shumë njerëz ndoshta e kanë prolonguar dështimin ose mbylljen dhe besoj që deri në fund të vitit do të kemi rezultate shumë më negative, të cilat do ta përshkruajnë një gjendje të mjerueshme ekonomike në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu.
Gërxhaliu ka thënë se me kalimin e kohë,s politika në Kosovë do ta kuptojë se nuk kanë alternativë tjetër përveç zhvillimit ekonomik, i cili duhet të jetë garantë e stabilitetit politik, garantë e stabilitetit social, por edhe përshpejtues i proceseve pozitive dhe kthimin e besimit të humbur tek qytetarët se në Kosovë mund të jetë më mirë në të ardhmen dhe një sektor privat i fuqishëm, paraprakisht është i gjykuar për të dështuar.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa ka thënë se pandemia ka ndikuar në mbylljen e bizneseve sepse është rritë pasiguria edhe për bizneset që hapen, por edhe për investime të bizneseve të reja.
“Është për tu pritur ky ndikim sepse shumë biznese nuk e gjejnë vetën, janë detyruar edhe të mbyllin aktivitetet, disa çregjistrohen e disa mbesin jo aktive. Ne kemi afër 160-70 mijë biznese të regjistruara, por jo më shumë se 60% prej tyre zhvillojnë aktivitet të rregullt. Klima në përgjithësi, rritet pasiguria edhe për investime, edhe për hapje të bizneseve të reja. Ne e kemi parë që të gjitha këto biznese që i kemi anketuar kanë qenë 35 biznese me të rëndësishme të Kosovës, të gjitha sivjet kanë pasur në plan të investojnë afër 50 mijë deri në 3 milion euro të gjitha i kanë ndërpre ato investime për një kohë”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se të gjitha këto biznese ndoshta edhe do t’i riaktivizojnë investimet, mirëpo krejt kjo varet prej mbështetjes që do t’i jap pakoja e rimëkëmbjes.