Mbi 60 për qind e barnave mungojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Situatë e njëjtë qëndron edhe tek furnizimi me citostatikë dhe material shpenzues. Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta jozyrtarisht, furnizimi me barna është 38 për qind.
QKUK-ja në regjistrat e saj ka klasifikuar veçmas citostatikët, që janë barna për të sëmurët me kancer dhe buxhetit i kushtojnë më së shumti. Sipas të dhënave, përmbushja e nevojave me to arrin në 36 për qind, kurse furnizimi me material shpenzues është 41 për qind. QKUK-ja fajin për këto mungesa po ua lë bartjes së buxhetit dhe kontratave nga Ministria e Shëndetësisë në QKUK, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në Klinikën e Onkologjisë pacientët detyrohen t’i blejnë vetë citostatikët. D.A ka treguar për gazetën se tash tre muaj ia blen ampulën Ribotax nënës së saj, e cila muaj më parë ishte operuar në Shkup.
“Citostatiku që ia blejmë nënës kushton 105 euro. S’po i kemi kushtet. Të gjithë po luftojmë për një kafshatë goje”, ka treguar ajo.
Përveç ampulës Ribotax, pacientët po duhet që t’i blejnë vetë edhe citostatikët e tjerë si Cesplatinin dhe Endoxanin. N.R., familjari i një pacienteje në Onkologji, tregon se vazhdimisht është duke pasur mungesa me ilaçe në këtë klinikë.