Pas rritjes së ndjeshme të rasteve pozitive të Covid-19 gjatë ditëve të fundit, sot është mbajtur mbledhja e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar se pothuajse të gjitha këto raste janë të variantit Omicron, i cili përhapet jashtëzakonisht shpejt dhe lehtë në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.
Varianti i ri i virusit Corona kërkon përditësim të masave bazuar në të dhëna, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit.
Për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të variantit Omicron, rritja e rasteve, të paktën për një kohë, ishte e pashmangshme. Prandaj, kryeministri kërkoi nga ky Komitet, që masat e vendosura ta kenë si qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve.
“Ngadalësimi i rritjes së numrit të rasteve do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar. Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë qytetarëve që të vaksinohen sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese. Kjo do t’iu ofrojë mbrojtjen prej infektimit apo sëmundjes së rëndë, si dhe do ta ndihmojë Kosovën në tërësi, që të kalojë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja”, thuhet në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit.
Nga ky takim u bë thirrje për qytetarët, që të mos nënvlerësohet varianti Omicron.
“Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese”, vijon njoftimi.