E tashmja por edhe e ardhmja Fidan Aliti zbulon gjithçka në një intervistë për Supersport, nga kompleksi Tropikal aty ku Skënderbeu po vazhdon minifazën përgatitore të dimrit.
Në këtë periudhë merkatoje ai është një nga emrat më të lakuar për vetë faktin pasi në drejtim të qendërmbrojtësit që është një titullar fiks edhe te përfaqësuesja e Kosovës kanë mbërritur shumë oferta.
Aliti e pranon se do t’i pëlqente një aventurë jashtë Shqipërisë pasi është në moshën e duhur për ta bërë një hap të tillë, në Suedi apo në një shtet tjetër kjo është në dorë të Skënderbeut që synon të përfitojë sa më shumë nga kartoni i tij.
“Kemi pasur një stërvitje intensive javën e shkuar, por tashmë po luajmë edhe miqësore. Ka edhe dëmtime brenda grupit dhe na vjen shumë keq sepse është dëmtuar Bregu, i uroj që të rikthehet sa më shpejt. Kështu e ka futbolli, kjo është pjesë e kësaj loje. Ofertat? Deri më tani jam në kontratë me Skënderbeun dhe jam i përqendruar këtu. Çdo lojtar e ka ëndrrën që të luaj jashtë dhe për mua që jam në kulmin e karrierës do të ishte më mirë një aventurë në një klub të madh. Nuk e di në Suedi apo diku tjetër…”