Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka njoftuar se të premten pasdite është mbyllur pikëkalimi kufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut në Glloboqicë, për shkak të zjarreve në anën e Maqedonisë.
Sipas njoftimit, zjarri është afër rrugës së fshatit Jazhincë. Për shkak të rrezikut, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka vendosur ta mbyllë përkohësisht kufirin.
“Ju njoftojmë se rreth orës 15:40, nga pala maqedonase jemi informuar se, për shkak të një zjarri të madh që është afruar pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut që paraqet ai, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabit të Krizave të Republikës së Maqedonisë së Veriut është mbyllur kufiri RKS–RMV në PKK Glloboqicë”, thuhet në njoftim të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Nuk është hera e parë që zjarret sivjet mbyllin kufirin me Maqedoninë e Veriut. Ngjashëm ka ndodhur në të paktën dy raste në fillim të korrikut.