Tetë fëmijë ishin mes 11 emigrantëve që u mbytën kur varka e tyre u përmbys pranë brigjeve në perëndim të Turqisë. Tetë persona të tjerë u shpëtuan në afërsi të ujrave të Cesmes, një resort turistike në detin Egje përballë ishullit grek të Kios. Kombësitë e tyre nuk janë bërë të ditura të ende.
Vetëm disa orë më parë, një tjetër varkë me emigrant ishte fundosur në detin Jon pranë ishullit grek Paxi, duke marrë të paktën 12 jetë njerëzish.
Turqia ka qenë një pikë tranzimit prej kohësh tashmë për emigrantët që përpiqen të mbërrijnë Europën, shumica përmes Greqisë. Një pjesë e madhe e tyre i largohen dhunës dhe persekutimit në vendet e veta. Shumë nga këta njerëz mbështeten tek trafikantët dhe përballen me një rrugëtim të rrezikshëm në tokë e det, që jo rrallëherë, ka rezultuar me vdekje.
Në 2016-tën, Turqia arriti një marrëveshje financiare me Bashkimin Europian për të frenuar fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve drejt Europës, por ndonëse u tkurr në masë të madhe, ai nuk u shua krejtësisht. Rojet bregdetare turke thanë se u përgjigjën pas disa thirrjeve që vinin nga deti mbrëmjen e së shtunës.
Cesme ndodhet vetëm 15 km larg Kiosit, ku me mijëra emigrantëv jetojnë në kampe të mbipopulluara, në kushte që përshkruhen si “jo sanitare”. Së fundi, numri i njerëzve që përpiqen të kalojnë përmes Turqisë në Greqi ka filluar të shtohet sërish; pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga Afganistani, Pakistani dhe Siria.