Fjalë Kyçe

Me daljen nga karantina, kthehet pjesërisht normaliteti në Prishtinë

Me daljen nga karantina, kthehet pjesërisht normaliteti në Prishtinë

E diela ka shënuar ditën e parë të hapjes së hyrje-daljeve për në Komunën e Prishtinës.

Gjatë ditës, rrugët e qytetit iu kthyen normalitetit të zhurmshëm e me shumë vetura. Qytetarët shfrytëzuan hyrjet kryesore të Prishtinës për qarkullim.

Një vendim i tillë është mirëpritur edhe nga banorët për të cilët është i rëndësishëm kthimi në normalitet, ndërsa thonë se hapja e kufijve të kryeqytetit do të ndikojë pozitivisht në ekonomi, raporton KOHA.

Ndërkohë, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se mungesa e rasteve gjatë javës dhe rënia e nivelit të përhapjes së COVID-19 në përgjithësi ishin arsyet kryesore për këtë.

Bujar Gashi, Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë thotë se heqja e karantinës për kryeqytetin ndikon pozitivisht edhe në shëndetin mendor të qytetarëve. Por, bëri thirrje që të vazhdojnë t’i evitojnë daljet e panevojshme dhe t’i respektojnë masat e vendosura nga institucionet.

Një tjetër komunë që kishte kërkuar largimin nga karantina ishte edhe Malisheva.

Gjatë së dielës, qeveria në detyrë ka mbajtur një mbledhje online, ku ka shfuqizuar vendimin për ndalimin e hyrje-daljeve edhe për Klinën, Malishevën dhe Komunën e Vitisë.