Markus Ferber, deputet gjerman në Parlamentin Evropian, ka thënë se asnjëherë nuk mund të luftohet korrupsioni nga të korruptuarit. Ai nuk i është referuar Gjermanisë, por Kosovës, gjatë një debati për çështjen e liberalizimit të vizave.
“Vizat” dhe “korrupsioni” do të dilnin në krye të klasifikimit të termeve më të përdorura në komunikimin publik jo vetëm në debatin ku mori pjesë Ferber, por edhe në cilëndo matje që do të bëhej në Kosovë.
Në disa shtete çështja e liberalizimit të vizave ka qenë lajm në media vetëm ditën që është marrë vendimi nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Në Kosovë top-temë është që nga paslufta, e sidomos që nga shpallja e Pavarësisë. Po aq gjatë ka qëndruar në majë të diskutimeve edhe korrupsioni.
Jo vetëm që ekziston “garë” mes tyre, por ato edhe kanë një lidhje logjike ndërveprimi. Në kontekstin kosovar, e para është e kushtëzuar nga e dyta.
Dhe, kjo paralele na çon te “arsyeshmëria” e vendimit të Bashkimit Evropian për ta shtyrë vendimin për vizat. BE-ja nuk është mjaftuar as me përmbushjen e kritereve teknike e as atyre politike. Vendimin e tyre për të mos e futur në agjendë çështjen e liberalizimit, të paktën deri më 2020, nuk e kanë lëkundur as kritikat se kjo qasje është johumane dhe në kundërshtim me parimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.
Çështja e dialogut me Serbinë, ani që nuk është “kriter” zyrtar, besohet se mund të jetë arsye për zvarritjen e vendimmarrjes në Bruksel. Por, nga perspektiva e zhvillimeve brenda, ka të ngjarë se në BE, veç kësaj, ka edhe një tjetër refuzim “estetik”. Dyshojmë që askush, ani që nuk e thonë, nuk duan të afrohen më shumë se kaq me fytyrat publike që defilojnë për afro 20 vjet në skenën politike e institucionale të Kosovës. Kanë drojën që çdo afirmim i Kosovës në drejtim të integrimeve evropiane mund të ketë pasoja afatgjate për zhvillimet e brendshme. Liberalizimi i vizave do të ishte më shumë dhuratë për politikanët e komprometuar e të korruptuar, dhe shans ideal për më shumë jetëgjatësi të tyre në pushtet.
Dhe në raport me këtë qeverisje primitive ka të drejtë ambasadori amerikan Philip S. Kosnett, që në paraqitjen e tij të parë publike jep deklaratë të fuqishme, kur thotë se është për keqardhje që ka zyrtarë që shumë shpesh e vënë interesin e tyre personal mbi atë të mirën e publikut, se ky fenomen (korrupsioni) i shprehur në të gjitha nivelet njollos reputacionin e Kosovës në vend dhe jashtë, se zvogëlon besimin e qytetarëve në Qeverinë e tyre, dhe se i dekurajon investimet dhe rritjen ekonomike.
Qëndrimi i Kosnettit dëshmon se ai është më shumë i përkushtuar për Kosovën sesa për liderët tanë. Në qendër të vëmendjes ai e vendos qytetarin, të mirën publike, reputacionin e shtetit dhe mirëqenien ekonomike. (Dhe jo rastësisht, në secilin projekt që financohet nga SHBA-ja falënderimi shkon për popullin amerikan – në Kosovë falënderimi shkon për zyrtarët e Qeverisë).
Edhe kolegët e Kosnett nga Britania, Franca, Gjermani e Italia, të njëjtën ditë, në të njëjtën tryezë, kanë thënë se drejtësia është kapur nga pushtetarët dhe se korrupsioni minon të ardhmen e qytetarëve.
Do të duhej të ishte turpëruese për drejtuesit e shtetit, për ata që paguhen për të garantuar siguri e mirëqenie, që përfaqësuesit ndërkombëtarë të ndiejnë më shumë për qytetarët e Kosovës dhe të ardhmen e tyre. Që po të njëjtit t’i shtyjnë para projektet që ndihmojnë në luftimin e kësaj të keqeje për shoqërinë, që ftojnë për më shumë transparencë e llogaridhënie, e që kërkojnë me ngulm që të largohen nga pushteti dhe administrata ata që keqpërdorin të mirat publike për interesa të tyre dhe të afërmve të tyre.
Qytetarët u japin të drejtë diplomatëve të huaj që më shumë se pushtetarët tanë kontribuojnë në fushata sensibilizuese me fonde dhe me praninë e tyre. I japin të drejtë edhe eurodeputetit Markus Ferber, kur flet se si korrupsioni, mosbesueshmëria, moszbatueshmëria e ligjeve nga udhëheqësit kosovarë janë duke e penguar liberalizimin e vizave. Apo, kur ai na e sjell në vëmendje se në Qeverinë Haradinaj ka shumë ministra që janë të korruptuar dhe kanë dosje në gjykata.
Gjermania e Ferberit, që nuk do asgjë t’i lihet rastësisë, së fundi ka futur në punë inteligjencën artificiale për të luftuar korrupsionin. Nëpërmjet makinerisë antikorrupsion ajo kontrollon transaksionet financiare, pagesat e zyrtarëve, përkatësisht shpenzimet e tyre për të parë nëse janë më të larta sesa të ardhurat. Pavarësisht debateve rreth çështjes së privatësisë, programi i njohur me emrin “Watson” monitoron shpenzimet e zyrtarëve edhe kur ata operojnë me pseudonime. Ky emancipim teknologjik ndodh në shtetin që edhe ashtu është lokomotivë e zhvillimit ekonomik në Evropë dhe përtej, i mirëqeverisjes dhe i transparencës. Ky avancim në metodat e luftimit të korrupsionit tregon se pushteti në Berlin e konsideron të shenjtë taksën e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit.
Në Kosovë jo që nuk monitorohen nëpërmjet shërbimeve elektronike shpenzimet individuale të zyrtarëve publikë, por as nuk bëhen publike me metodat klasike kontratat që arrijnë vlerat miliardëshe.
Qytetarët, për të krijuar opinionin mbi “ndershmërinë” e qeverisjes, edhe më tej duhet të mjaftohen me gjetjet e mediave për veprimet korruptuese, ngase këtë nuk e bëjnë organet e drejtësisë.
Qeveria, ani se u janë ofruar projektet nga organizatat joqeveritare, qëllimshëm ka neglizhuar funksionalizimin e platformave të thjeshta online nëpërmjet të cilave qytetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile mund të shohin në kohë reale të gjitha lëvizjet financiare, kontratat publike dhe përmbajtjen e tyre, si dhe projektet që mund të prekin interesat e tyre financiare dhe pronësore.
Është dashur Ambasada Amerikane në Kosovë që të marrë iniciativë për trajnimin e organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe zyrtarëve të institucioneve publike në përdorimin e teknologjisë informative, si mjet për luftimin e korrupsionit, ngritjen e transparencës dhe luftimin e korrupsionit.
SHBA-ja dhe vendet e tjera bëjnë të kundërtën e Qeverisë – investojnë në qytetarin e përjashtuar dhunshëm nga proceset e monitorimit. Ata duan që ai të mos shfaqet vetëm si spektator në skenën ku politikanët “dehen” me taksat e tyre, por të bëhet pjesë e ndryshimit.