Fjalë Kyçe

Më shumë se një muaj Kosova nuk prodhon leternjoftime, qytetarët mbesin pa dokumente

Më shumë se një muaj Kosova nuk prodhon leternjoftime, qytetarët mbesin pa dokumente

Qytetarët e Kosovës nuk po arrijnë të pajisen me letërnjoftim tash e disa javë, ndonëse i kanë përfunduar të gjitha proceset e aplikimit. Kjo për shkak se Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka siguruar materialin e nevojshëm për të lëshuar letërnjoftime.

MPB-ja para më shumë se një muaji kishte njoftuar se për shkak të pandemisë COVID-19, Agjencia e Regjistrimit Civil, nuk ka arritur me kohë të duhur të kryej të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim me material të mjaftueshëm për letërnjoftime.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që në afat sa më të shkurtër kohor të furnizohet me material të nevojshëm, në mënyrë që të bëjë të mundur të pajisen me letërnjoftime të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Deri atëherë për kryerjen/marrjen e shërbimeve të nevojshme, mund të përdoret pasaporta valide e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.

Gazeta Express ka mësuar se as pas gjithë kësaj kohe kjo ministri ende nuk e ka siguruar materialin e nevojshëm dhe rrjedhimisht qytetarët nuk do të mund të pajisen me leternjoftim edhe për një kohë të pacaktuar.