Fjalë Kyçe

Me turneun në Mitrovicë filloi projekti “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar”

Me turneun në Mitrovicë filloi projekti “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar”

Zhvillimi i futbollit të femrave dhe masivizimi i tij është ndër prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit të Kosovës, shkruan GazetaAlo

Kësisoj, FFK ka nisur për të dytin vit radhazi projektin “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar” nëpërmjet turneve që do të organizohen në 14 komuna të Kosovës nën moton “Ti mund ta bësh – You can do it”.

Ky projekt, i cili vitin e kaluar zgjoi interesim të madh tek vajzat e reja dhe doli të jetë tejet i suksesshëm për faktin se e arriti qëllimin e ndërgjegjësimit dhe masivizimit, e ku shumë vajza u inkuadruan në klubet e futbollit, edhe sivjet do organizohet në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Sportit dhe Shoqatën e Pedagogëve të Edukatës Fizike dhe Sportit, derisa mbështetet nga UEFA.

Turnetë nëpër komuna do të mbahet prej këtij muaji e deri në muajin nëntor, derisa më pas do të organizohet turneu final në Prishtinë me ekipet fituese të të gjitha komunave.

Turneu i parë në kuadër të këtij projekti është mbajtur në Mitrovicë, ku dje dhe sot janë zhvilluar ndeshjet me sistem eliminimi, e ku kanë qenë të përfshira 12 shkolla të mesme të ulëta: “Abdullah Shabani”, “Aziz Sylejmani”, “Anton Zako Çajupi”, “Bislim Imeri”(Kçiq), “Eqrem Qabej”, “Fazli Grajqevci”, “Ismail Qemali”, “Musa Hoti”, “Migjeni”, “Jusuf Rexha”(Koshtovë), “Skënderbeu”, “Shaban Idrizi”.

Edhe këtë herë organizimi ishte shumë i mirë, derisa vërehej entuziazëm i madh i vajzave për të luajtur futboll, por edhe për të arritur sukses me ekipet e shkollave të tyre. Në fund, vendi i parë i takoi SHMU “Jusuf Rexha” nga Kushtova, e cila në finale e mundi ekipin e SHMU “Aziz Sylejmani”, me rezultat 2:0.

Ish-futbollisti i mirënjohur, Emin Baliqi, i cili doli fitues me ekipin e shkollës së tij, theksoi: “Ky turne ia ka arritur qëllimit për masivizimin e futbollit tek vajzat. Shfaqja e këtyre turneve në mediat online dhe rrjetet sociale ka bërë jehonë te vajzat, të cilat tani edhe ato po kanë dëshirë që të jenë pjesë e këtij turneu dhe pjesë e futbollit. Ndoshta nuk janë të shumta ato vajza që dinë të luajnë, por është mirë që ka garë dhe së paku nga një talente po del nga secila shkollë”.

Në ditën e parë u arritën këto rezultate:
SHFMU “Jusuf Rexha” – SHFMU “Bislim Imeri” 1:0
SHFMU “Abdullah Shabani” – SHFMU “Aziz Sylejmani” 1:2
SHFMU “Eqrem Çabej” – SHFMU “Migjeni” 1:0
SHFMU “Musa Hoti” – SHFMU “Ismail Qemali” 4:1
SHFMU “Fazli Grajqevci” – SHFMU “Anton Zako Çajupi” 3:0
SHFMU “Shaban Idrizi” – SHFMU “Skënderbeu” 2:2 (2:1, në penallti)

Në ditën e dytë u arritën këto rezultate:
SHFMU “Musa Hoti” – SHFMU “Jusuf Rexha” 0:1
SHFMU “Aziz Sylejmani” – SHFMU “Eqrem Çabej” 1:0
SHFMU “Shaban Idrizi” – SHFMU “Fazli Grajqevci” 0:0 (3:2, në penallti)

Gjysmëfinale
SHFMU “Jusuf Rexha” – SHFMU “Fazli Grajqevci” 0:0 (3:2, në penallti)
SHFMU “Aziz Sylejmani”, në finale pa lojë

Finalja
SHFMU “Aziz Sylejmani” – SHFMU “Jusuf Rexha” 0:2. /GazetaAlo