Fjalë Kyçe

Mediat beogradase: 50 malazezë hyjnë nga Kosova në Serbi për të bërë trazira

Mediat beogradase: 50 malazezë hyjnë nga Kosova në Serbi për të bërë trazira

Shërbimet e sigurimit të Serbisë kanë ardhur te informata se një grup i shtetasve të Mali të Zi po bëhet gati që ditëve të ardhshme të bashkohet në protestat në Beograd.

Sajti “b92.net”, duke cituar mediat tjera beogradase, ka shkruar se kjo bëhet për të nxitur kaos në Beograd.

“Sipas informatave të shërbimeve tona të sigurisë, fjala është për 50 persona të vendit fqinj, që do të duhej të vijnë në Serbi në tri apo katër ditët e ardhshme. Plani është që të hyjnë ilegalisht, përmes vendkalimeve alternative përmes Kosovës, në mënyrë që të shmangin masën e izolimit. Sipas informatave të shërbimeve, bëhet fjalë për njerëz të rretheve kriminale”, ka shkruar “b92.net”.

Në tri netët e kaluara ka pasur protesta në Beograd dhe në qytetet tjera të Serbisë. Fillimisht protestat u bënë ndaj masave të shtetit serb në luftë ndaj koronavirusit. Në dy netët e para ka pasur përleshje të mëdha të protestuesve me policinë. Protesta e së enjtes ishte e qetë.

Edhe më herët ka pasur raportime të mediave serbe për përfshirje të shërbimeve të huaja.