Fjalë Kyçe

Mehaj: Kërkojmë nga NATO, BE dhe OKB të shqyrtojnë qasjen destruktive të Serbisë

Mehaj: Kërkojmë nga NATO, BE dhe OKB të shqyrtojnë qasjen destruktive të Serbisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pas furnizimit të Serbisë me sisteme raketore dhe armatim të ri nga Kina.

Përmes një postimi në Facebook, Mehaj thotë se me këtë gjë, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë.

“Prandaj kërkojmë nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”, ka shkruar ministri Mehaj.

Postimi i plotë:

Me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë.

Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia.

Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro- vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj.

Nga kush rrezikohet Serbia, apo kundër kujt armatoset Serbia me sistemet më të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse?

Ç’është kjo hipokrizi?

Deri kur me këto standarde të dyfishta?

Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Prandaj kërkojmë nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Republika e Kosovës, institucionet dhe populli ynë jemi të vendosur dhe e kemi dëshmuar fuqishëm orientimin tonë euroatlantik me aspiratën e natyrshme për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe BE.

Këtë e kemi konfirmuar çdoherë por edhe tani, ku përkrahë me aleatët tanë të udhëhequra nga SHBA, vazhdojmë procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të ushtrisë sonë dhe të gjitha institucioneve tjera shtetërore sipas praktikave dhe modeleve më bashkëkohore të demokracive perëndimore.

FSK-në – Ushtri të fuqishme profesionale në mbrojtjen e vendit dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global.

Ky është misioni ynë dhe ky është interesi ynë jetik shtetëror e kombëtar.

Për këtë jemi të pandalshëm, të pakthyeshëm dhe të pathyeshëm.