Fjalë Kyçe

Meliza Haradinaj e do SHBA-në në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi

Meliza Haradinaj e do SHBA-në në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shfrytëzuar rastin që të kërkojë që edhe negociatat mes Kosovës dhe Serbisë të bëhen nën udhëheqjen e SHBA-së.

Duke rishpërndarë në Twitter një postim të presidentit amerikan, Donald Trump, ministrja Haradinaj ka shkruar: “Mirëpres Deklaratën e përbashkët mes Izraelit dhe EBA-së për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Lidershipi nga SHBA-ja është krucial për arritjen e përparimeve diplomatike që kanë për qëllim stabilitetin dhe paqen në mbarë botën. Marrëveshja finale Kosovë-Serbi po ashtu duhet të ndërmjetësohet nga lidershipi i SHBA-së”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht Presidenti Donald Trump kishte paralajmëruar arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi gjatë këtij viti, por një raund bisedimesh në Uashington u ndërpre pas ftesës së Gjykatës Speciale për Presidentin Kosovar Hashim Thaçin.