Sipas një studimi të kryer nga hulumtues suedezë, mënyra se si përgatitet kafeja mund të ndikojë në nivelet e yndyrës apo kolesterolit të “keq” (LDL) në gjak. Kjo ndodh për shkak të përmbajtjes së lartë të përbërësve bimorë diterpene, dy prej të cilëve janë kafestoli dhe kaueoli, ka raportuar “ScienceAlert”.
Studimi ka zbuluar se kafja e përgatitur në mënyrë të zier ka përqendrimet më të larta të këtyre substancave, ndërsa përdorimi i filtrave prej letre mund t’i reduktojë dukshëm. David Iggman, dietolog klinik në Universitetin e Uppsalas, ka thënë se procesi i filtrimit luan rol të rëndësishëm.
“Procesi i filtrimit është vendimtar për praninë e këtyre substancave që rrisin kolesterolin”, ka thënë ai.
Studiuesit kanë analizuar 14 makina të ndryshme për përgatitjen e kafesë dhe zbuluan se makinat e përdorura zakonisht në vende pune prodhojnë kafe me nivele më të larta diterpenesh krahasuar me filtrat e zakonshëm të pikimit. Sipas Iggman, zëvendësimi i kafesë së përgatitur në makinë me kafe të filtruar në letër mund të ulë rrezikun relativ për sëmundje kardiovaskulare aterosklerotike me 13% në 5 vjet dhe me 36% në 40 vjet.
Ndër metodat e përgatitjes së kafesë që u testuan, filtrimi me letër ka treguar nivelet më të ulëta të kafestolit dhe kaueolit, ndërsa kafja espresso dhe ajo e zier kishin përqendrimet më të larta. Filtrimi i kafesë së zier përmes një cope pëlhure ose letre uli përqendrimet e këtyre substancave ndjeshëm.
Pavarësisht gjetjeve, studiuesit kanë pranuar se mostrat e analizuara ishin të kufizuara dhe faktorë të tillë si madhësia e poreve të filtrit, presioni i ujit dhe mënyra e pjekjes së kokrrave të kafesë nuk u morën parasysh.
Megjithatë, studimi kontribuon në debatin e gjerë mbi ndikimin e kafesë në shëndet, ndërsa kërkime të tjera sugjerojnë se konsumimi i rregullt i kafesë mund të ulë rrezikun për sëmundje kardiometabolike, demencë dhe disa lloje të kancerit.
“Për ata që pinë shumë kafe çdo ditë, është e qartë se kafeja e filtruar me letër është një opsion më i shëndetshëm”, ka thënë Iggman.