Fjalë Kyçe

Mërgim Vojvoda, mbret i Kosovës

Mërgim Vojvoda, mbret i Kosovës

Mbrojtësi kosovar u zgjodh futbollisti më i mirë i vitit e Armend Thaqi më i miri i Superligës

Mërgim Vojvoda është zgjedhur futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2020.

Mbrojtësi i djathtë u kurorëzua kësisoj për herë të parë me çmimin “Fadil Vokrri”, të cilin e ndan tradicionalisht Federata e Futbollit të Kosovës.

Përmes një videomesazhi, futbollisti i Torinos ka thënë se ndihet i privilegjuar për këtë çmim, duke i falënderuar të gjithë ata që e zgjodhën më të mirin.

Vojvoda po ashtu ka premtuar se Kosova shumë shpejt do të rikthehet në nivele të larta, duke aspiruar suksese të mëdha.

Sipas tij, këtë e meriton populli i Kosovës dhe tifozët “Dardanët”

Ndërkohë, çmimi i futbollistit më të mirë të Superligës për vitin 2020 në bazë të votave të gazetarëve sportivë i ka takuar mbrojtësit të Ballkanit, Armend Thaqi.

Epiteti i golashënuesit më të mirë i takoi sulmuesit të Ballkanit, Mirlind Daku, i cili ka shpërthyer në vitin 2020.

Kurse, çmimi i lojtares më të mirë i ka takuar futbollistes së Mitrovicës, Blerta Shala, teksa KFF Mitrovica u shpall klubi më i mirë te femrat.

Trajneri më i mirë i vitit u zgjodh Ardian Nuhiu i Dritës, teksa ky nuk ishte çmimi i vetëm te klubi kampion, pasi Drita u shpall edhe klubi më i mirë i vitit.

Feronikeli u shpall klubi më ‘fair-play”, derisa Mervan Bejtullahu ishte gjyqtari më i mirë i vitit.

Në futsall çmimi i lojtarit më të mirë i takoi Jeton Rukovcit, derisa klubi i tij FC Prishtina u zgjodh ekipi më i mirë i vitit.

Në fund u zgjodh edhe 11-shja e vitit në Superligë.