Fjalë Kyçe

Merkeli bisedoi me Kurtin për gjendjen me koronavirus dhe për çështje ekonomike

Merkeli bisedoi me Kurtin për gjendjen me koronavirus dhe për çështje ekonomike

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, përmes video-konferencës.

Siç njofton Saarbruecker-zeitung.de, kjo bisedë është zhvilluar si zëvendësim i vizitës së planifikuar të Kurtit në Berlin, e cila nuk ka mundur të realizohet për shkak të gjendjes së krijuar me koronavirusin.

Mediumi gjerman shkruan se “tani, ajo po qeveris përmes telefonit dhe videokonferencave”.

“Këtë mjet ndihmës e ka përdorur pasditen e së hënës edhe për një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin ka diskutuar rreth gjendjes së krijuar me koronavirusin në shtetin e tij, por edhe për çështjet ekonomike dhe të politikës së jashtme”, shkruan Saarbruecker-zeitung.de, raporton KOHA.

“Kështu u zëvendësua vizita e planifikuar shtetërore e Kurtit”, thekson ky medium.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, me të marrë mandatin Kurtin, e kishte uruar atë dhe e kishte ftuar për vizitë në Berlin.

Ajo kishte thënë se do ta presë me gëzim Kurtin.

Merkel tutje kishte renditur disa nga problemet me të cilat qeveria e Kosovës duhet të përballet.

“Ju dhe qeveria juaj keni detyra të rëndësishme dhe të vështira para jush. Këtu përfshihet sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe, në veçanti, dialogu për normalizim me Serbinë. Këta janë hapat kryesorë në forcimin e perspektivës evropiane të vendit tuaj”, kishte thënë Merkeli në letrën e urimit dërguar Kurtit

Në fund kishte thënë se Qeveria Federale gjermane do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë rrugë.

Merkel sot u testua për koronavirus, ndërsa në orët e pasdites erdhi njoftimi se ajo ka dalë negative në këtë test.