Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, të shtunën u bëri thirrje gjermanëve që t’i shmangin vizitat familjare për Krishtlindje dhe t’i shfrytëzojnë video-thirrjet për t’i shkëmbyer urimet, njësoj siç veprojnë ushtarët që ndodhen jashtë vendit.
Gjermania është duke u përballur me shtim të rasteve dhe viktimave të koronavirusit. Vlerësimi pozitiv për Merkelin për mbajtjen nën kontroll të valës së parë është shndërruar në kritika ndaj saj për atë që po cilësohet si dështim në valën e dytë.
“Gratë dhe burrat që ndodhen larg shtëpisë për të na ofruar siguri e dinë çfarë do të thotë të keshë kontakt të kufizuar me njerëzit e dashur”, tha kancelarja gjermane gjatë fjalimit të saj javor.
“Ata e dinë çka do të thotë që të keshë mundësi të flasësh vetëm përmes programit Skype për një periudhë të gjatë kohore e të mos jeshë së bashku (me të tjerët). Ajo që na pret shumë prej nesh është e zakonshme për njerëzit në misionet jashtë vendit “, shtoi ajo.
Politikanja e popullarizuar ka bërë thirrje emocionale para festave të fundvitit që njerëzit t’i shmangin udhëtimet e panevojshme dhe t’i pakësojnë kontaktet sociale sa më shumë pasi ekspertët shëndetësorë paralajmëruan rritje të numrit të infektimeve gjatë festave.
Vetëm të shtunën, Gjermania regjistroi mbi 31.000 raste të reja me Covid-19 dhe 702 viktima. Këto shfira janë dyfish më të larta në krahasim me numrat e regjistruar vetëm katër ditë më parë.
Pritet që më 27 dhjetor Gjermania ta fillojë vaksinimin e popullsisë me vaksinën e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, e cila tashmë është miratuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada, Meksikë dhe Zvicër.