Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka refuzuar ankesën e fundit të drejtuar nga klubi gjilanas, Drita.
Kampioni në fuqi i Kosovës ishte ankuar në FFK për futbollistin Haxhi Neziraj, i cili është pezulluar me dy ndeshje mos-lojë.
Arsyeja e kësaj është se Neziraj u ndëshkua me karton të kuq në derbin lokal me Gjilanin të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Por, sipas Komisionit Disiplinor, ankesa e Dritës është e pa bazë dhe vendimi i parë më herët mbetet në fuqi.
Më poshtë gjeni njoftimin e FFK-së:
Vendim
1.Refuzohet ankesa e klubit të futbollit “DRITA “nga Gjilani e datës 11.04.2019 si e pa bazuar.
2.Vërtetohet vendimi i Komisionit Disiplinor i shkallës së parë datë 10.04.2019 dhe dënimi për lojtarin Haxhi Neziraj me ; 2 (dy) ndeshje ndalesë loje zyrtare sipas radhës mbetet në fuqi.
Arsyetim
Me rastin e shqyrtimit të ankesës së klubit të futbollit “Drita “nga Gjilani, Komisioni për ankesa për bazë pati raportet zyrtare nga ndeshja e zhvilluar (gjyqtarit, delegatit dhe vëzhguesit të referimit) dhe nga të njëjtat bazuar në të gjitha faktet relevante vërtetoi vendimin e organit disiplinor të shkallës së parë i cili është zbatuar drejtë dhe me përpikëri konform dispozitave juridike duke aplikuar ligjërisht Rregulloren disiplinore neni 43 paragrafi 1 pika 1 (dënimin minimal për 2 ndeshje moslojë)”.