E veshur me një tutë të verdhë, duke buzëqeshur me në krah vajzën 6-muajshe Milana, video e 31-vjeçares ruse Ksenia deri pak javë më parë do të ishte thjesht një pamje e bukur familjare. Por jo më, madje video në dukje e pafajshme po krijon skandal në Rusi.
Kjo, sepse Ksenia është bija e një prej protagonistëve më të diskutuar të agresionit të Moskës në Ukrainë, ministrit të Mbrojtjes rus Sergey Shoigu.
E cilësuar si një nga talentet emergjente të financës ruse, Ksenia është sulmuar në vendlindje sepse në javët e kaluara nuk ka postuar në rrjetet sociale mesazhe të qarta mbështetëse për të atin dhe në përgjithësi për atë që Putin dhe pjesë e mirë e opinionit publik rus cilëson si “operacion special në Ukrainë”.
Dy mesazhe mund të veçohen dhe duken të moderuara, të paktën në optikën ruse. “Çdo operacion ushtarak është veprimi i fundit që duhet kryer, kjo do të thotë që nuk kishin rrugë tjetër”, ishte mesazhi që postoi ajo disa ditë më parë, e pasuar me një koment të përgjithshëm mbi sanksionet që me gjasa do të ndryshojnë edhe jetën e saj luksoze.
“Nuk më vjen turp që jam ruse. E dua vendlindjen dhe popullin tim, kudo të jetojë ai. Sot e gjithë bota e civilizuar tregoi se ka një standard për veten, dhe një të ndryshëm për ne”, shkruante Ksenia Shoigu.
Por përtej këtyre komente, rrjetet e saj sociale nuk gëlojnë me pamje ushtarësh heroikë, germën e njohur “Z” tashmë të njohur kudo në botë dhe parulla të tjera nacionaliste.
Kritikat ruse arritën kulmin sot me kombinimin e të verdhës së veshjes se saj sportive me blunë e vajzës se saj të vogël, pikërisht ngjyrat e Ukrainës së sulmuar. Ndoshta një koincidencë, por disa evidentojnë se disa kohë më parë edhe bashkëshorti Aleksey Stoliarov, bloger në fushën e sportit, paraqiti një video ku stërvitej me një veshje me të njëjtat ngjyra./a2cnn