Ky është mesazh urimi i presidentit Agim Ademi për 11-vjetorin e Pavarësisë, shkruan GazetaAlo.
Të nderuar drejtues të institucioneve shtetërore, familje të heronjve e dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, drejtues të klubeve, futbollistë, anëtarë të FFK-së, Dardanë, adhurues tjerë, miq afaristë dhe qytetarë të Kosovës!
Nesër e shënojmë 11 vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë. Pa dyshim kjo është dita më e rëndësishme në historinë e re të kombit tonë. Deri te dita e shpalljes së pavarësisë kaluam nëpër shumë vuajtje e sakrifica, por gjithmonë u treguam popull vizionar e me synime të qarta për përparim dhe zhvillim të vendit tonë.
Kontributin për lirinë dhe pavarësinë e vendit e dhanë edhe shumë futbollistë dhe punëtorë futbolli, duke mos kursyer madje as jetët e tyre, për çka do t’u jemi gjithmonë falënderues dhe do t’i përkulemi veprës së tyre heroike.
Tani jemi në një fazë të re, ku kontributin për atdheun futbollistët po e japin në fushën e gjelbër, duke e promovuar në mënyrën më të mirë të mundshme flamurin dhe shtetin e Kosovës, në garat zyrtare të UEFA-s e FIFA-s.
Kombëtarja jonë ishte shembull suksesi në vitin 2018, duke shkëlqyer në Ligën e Kombeve, derisa edhe ekipet tjera zinxhirë të kombëtares patën paraqitje mbresëlënëse kudo që u paraqitën, qoftë për nga kultura e lartë sportive, qoftë për nga rezultatet. Shembullorë ishin edhe tifozët tanë “Dardanët”, që dëshmuan para syve të botës se jemi popull që e do futbollin dhe e di rëndësinë e tij.
Tash para vetes e kemi një mision tjetër – kualifikimin në Kampionatin evropian. Duke parë punën, entuziazmin dhe dëshirën e flaktë të futbollistëve tanë besoj fuqishëm se këtë ëndërr të shumë gjeneratave do ta bëjmë realitet.
Si president i FFK-së do të vazhdoj të punoj fuqishëm në ngritjen e mëtejme të futbollit të Kosovës, si në aspektin e infrastrukturës ashtu edhe në atë të organizimit dhe të cilësisë, si dhe në forcimin e partneritetit me UEFA-n e FIFA-n dhe me të gjitha federatat simotra.
Në prag të kësaj dite të veçantë shfrytëzoj rastin që të gjitha institucioneve të shtetit, familjeve të heronjve e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të luftës, drejtuesve të klubeve, futbollistëve, anëtarëve të FFK-së, Dardanëve, miqve afaristë dhe qytetarëve të Kosovës t’ua uroj Ditën e Pavarësisë, me shpresën dhe besimin se vendi ynë do të ecën me hapa të sigurt drejt rrugës evropiane, drejt të ardhmes së begatë dhe rrugës së suksesit në çdo segment të jetës!
Urime dhe na priftë e mbara!
Zoti e bekoftë Pavarësinë e Kosovës,
Zoti e bekoftë popullin e Kosovës,
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së