Në shkollën “Iliria” në Prishtinë numri i mësimdhënësve të infektuar me COVID-19 në ciklin nga klasa 6 deri 9 është mjaft i lartë dhe si rrjedhojë po shkaktohet vështirësi në mbajtje e mësimit me prani fizike në këtë cikël.
Këshilli i Prindërve të kësaj shkolle në një kërkesë drejtuar prindërve, ka kërkuar që ata që janë me profesion mësimdhënës, mjek, inxhinier, apo që e kanë të përfunduar gjuhën gjermane, të paraqiten vullnetarisht për të mbajtur mësim.
Në njoftimin e Këshillit drejtuar prindërve, thuhet se në mbledhjen e Task-Forcës u vendos se pasi numri i nxënësve të infektuar ende është nën 5 për qind nuk po kalohet me skenarin C.
Madje është thënë se po mbajnë orë për të ndihmuar edhe drejtoresha, bibliotekistja dhe sekretarja e shkollës.
Derisa është thënë se në ciklin 1-5 mësimi mund të mbahet pa telashe, pasi ka numër të vogël të infektuar nga radhët e mësimdhënësve e nxënësve, në atë 6-9 numri është më i madh dhe po hasin në vështirësi.
Madje është vendosur që mësimdhënësit e anglishtes të orientohen gjatë kësaj periudhe në ciklin 6-9 dhe rrjedhimisht cikli 1-5 nuk do të ketë orë të anglishtes.
Shkaku i rasteve me COVID disa shkolla në Kosovë kanë kaluar në skenarin C (mësim online).
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shkollat janë të fundit që duhet mbyllur, ndërsa edhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është shprehur kundër mbylljes së shkollave.