Meta do të largojë kontrolluesit e fakteve, do të zvogëlojë “në mënyrë dramatike sasinë e censurës” dhe do të rekomandojë më shumë përmbajtje politike në platformat e saj, duke përfshirë Facebook-un, Instagram-in dhe Threadsin, ka njoftuar të martën themeluesi, Mark Zuckerberg.
Në një videomesazh, Zuckerberg është zotuar se do t’i japë përparësi fjalës së lirë pas kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe ka thënë se, duke filluar nga SHBA-ja, ai “do të hiqte qafe kontrolluesit e fakteve dhe do t’i zëvendësonte ato me shënime të komunitetit, ngjashëm me X”.
Platforma e mediave sociale në pronësi të Elon Muskut “X”, mbështetet tek përdoruesit e tjerë për të shtuar vërejtje dhe paralajmërime në postimet e diskutueshme, raporton The Guardian.
Zuckerbergu ka thënë se “kontrolluesit e fakteve të Metës kanë qenë shumë të njëanshëm politikisht dhe më shumë kanë shkatërruar besim sesa që kanë krijuar”.
Ekipet e moderimit të përmbajtjes së firmës teknologjike do të zhvendosen nga Kalifornia në Teksas “atje ku ka më pak shqetësim për paragjykimet e ekipeve tona”, ka bërë të ditur Zuckerberg.
Meta ka më shumë se 3 miliardë përdorues në mbarë botën.
Në deklaratën e tij, Zuckerbergu ka thënë se Meta gjithashtu “do të heqë qafe një sërë kufizimesh për tema si emigracioni dhe gjinia”, dhe do “të punojë me presidentin Trump për t’i bërë qeveritë në mbarë botën që të tërhiqen nga përndjekja e kompanive amerikane dhe kërkimi i censurës.
Ai ka përmendur Evropën si një vend me “një numër gjithnjë në rritje ligjesh që institucionalizojnë censurën dhe e bëjnë të vështirë ndërtimin e ndonjë gjëje novatore”.