Fjalë Kyçe

Miftaraj: Afati i shkurtër nga Kushtetuesja për formimin e qeverisë, tentim për të legjitimuar veprimet e Thaçit

Miftaraj: Afati i shkurtër nga Kushtetuesja për formimin e qeverisë, tentim për të legjitimuar veprimet e Thaçit

Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës specifikon se afati që ka kandidati për Kryeministër të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit është 15 ditë.

Ndërsa në rast se ai nuk arrin të formojë shumicën parlamentare në Kuvend, atëherë presidenti emëron kandidatin tjetër të cilit i jep 10 ditë afat për ta formuar qeverinë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, për Zeri.info, deklaron se afati kaq i shkurtër i caktuar nga Gjykata mund të jetë ndikuar edhe nga fakti që të legjitimojë dekretin e Presidentit dhe të njëjtin mos ta shpallë kundërkushtetues.

“Përderisa, si precedent që mund të ndikojë dhe pengojë në të ardhmen lidhur me formimin e institucioneve, paraqet afati i shkurtër kohor prej 15 dhe 10 ditëve. Një afat sipas mendimit tim ka pasur për qëllim më shumë të legjitimojë veprimet e Presidentit sesa të rregullojë këtë fushë. Një afat i tillë do ishte në frymën e Kushtetutës sikur të mos kufizohej në afate aq të shkurtra por të caktohej një afat i arsyeshëm kohor që mund të ishte prej 30 deri në 60 ditë”, deklaron për Zeri.info, Miftaraj.

Ai ka bërë thirrje që të zbatohen në përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese nga aktorët politikë, përkundër se publiku ka dyshime lidhur me integritetin dhe kredibilitetin e kësaj gjykate, dhe e vë në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e saj.

“Veçanërisht, partitë politike dhe institucionet janë të obliguara të dëshmojnë lojalitet ndaj vendimeve të Gjykatës dhe të njëjtat në publik të mos i komentojnë dhe sulmojnë, qoftë gjykatën si institucion apo vet gjykatësit e kësaj gjykate. Çdo sulm ndaj Gjykatës dhe gjykatësve nga politika hyn në kuadër të ushtrimit të presionit dhe cenimit të mëtejshëm të pavarësisë dhe autoritetit të këtij institucioni. Përderisa vendimi i Gjykatës ka etabluar edhe më tej autoritetin dhe kompetencat e Kuvendit të Kosovës si institucion suprem që përfaqëson popullin dhe institucion që qëndron mbi Qeverinë dhe Presidentin”, përfundon deklaratën e tij, Miftaraj.

Isa Mustafa, lideri i partisë së dytë nga zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-së, parti që tashmë e ka mundësinë të formojë Qeverinë e re, ka deklaruar se po presin vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të thirret seanca e Kuvendit dhe të votohet Qeveria.

Pas rrëzimit të qeverisë “Kurti”, dhe pasi presidenti i vendit deklaroi se nga letrat e shkëmbyera me subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të siguronte emrin e mandatarit të ri, kjo e drejtë iu dha LDK-së, e cila shpejt arriti koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe me subjektet politike joshumicë në Kuvend, me qëllim të formimit të qeverisë së re, duke e nominuar zëvendëskryeministrin e shkarkuar në Qeverinë “Kurti”, Avdullah Hotin, për mandatar.

Propozimin e LDK-ja e dekretoi Thaçi pasi iu dorëzuan 61 nënshkrime të nevojshme për votimin e qeverisë, por vendimi u dërgua në Kushtetuese nga LVV-ja për të vlerësuar kushtetutshmërinë e veprimit të Thaçit.

Gjykata, një muaj pas, e mbështeti dekretin e Thaçit.